Homazhe për 2 punonjësit e SHIK-ut të vrarë në vitin 1997
Janë zhvilluar në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë homazhet në nderim të dëshmorëve Besnik Hidri dhe Leka Qokja, punonjës të SHIK-ut të vrarë në Vlorë në vitin 1997.Familjarë, të afërm, ish kolegë, shokë e miq si dhe personalitete të larta të shtetit kanë zhvilluar homazhe në nderim të Dëshmorëve të Atdheut Besnik Hidri e Leka Qokja.Homazhe kanë zhvilluar kryeministri Sali Berisha, ministri i brendshëm Flamur Noka, kreu i FRD-së Bamir Topi si dhe personalitete të tjera të politikës.Në fjalën e tij, kryeministri Berisha është shprehur se me përcjelljen për në Varrezat e Dëshmorëve të kombit të dy punonjësve të SHIK-ut bëhet një mbyllje morale e njërit prej skenarëve më të turpshëm në historinë e kombit; rebelimit komunist të vitit 1997.Sipas Berishës, ky rebelim i kushtoi vendit jetë të shumta njerëzisht dhe solli në pushtet me dhunë ata që nuk e meritonin.“Në rrafshin politik rebelimi komunist i 97 u mbyll në mënyrën më dinjitoze nga qytetarët shqiptarë që bënë që ata që erdhën me dhunë, të largohen me votë dhe ky ishte në nderin e tyre. Në rrafshin moral, heronjtë e shtetit dhe kombit sot përcillen me nderimet e merituara te Dëshmorët”- tha ai.I pyetur nëse do të ketë një autor për këto ngjarje, kryeministri Berisha theksoi se drejtësia vonon por kurrë nuk harron.“Ndonjëherë vlerësimet, korrigjimet edhe mund të vonojnë por nuk harrojnë, mbetet natyrisht një hetim i atyre që kryen këtë akt të shëmtuar ndaj shërbëtorëve kaq të çmuar të kombit shqiptar. Për krimin e shëmtuar, thashë për autorët politikë shqiptarët u shprehën, për probleme të tjera natyrisht drejtësia vonon por nuk harron kurrë” tha kryeministri.Gjithashtu në orën 13:00 është zhvilluar edhe ceremonia për vendosjen e eshtrave të dëshmorëve të Atdheut, në varrëzat e Dëshmorëve Tiranë.Besnik Hidri e Leka Qokaj kanë qënë punonjës të Shërbimit Informativ dhe më 28.02.1997 kanë rënë në krye të detyrës, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, në Vlorë.Me dekretin Nr. 4152, datë 25.02.2004 të Presidentit të Republikës, Besnik Hidri dhe Leka Qokaj janë dekoruar me “Medaljen e Shqiponjës së Arte” (pas vdekjes) me motivacionin: ”Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë për veprimtarinë dhe kontributin e vyer në shërbim të shtetit, deri në aktin sublim, dhënien e jetës në krye të detyrës”.Besnik Hidri dhe Leka Qokaj janë shpallur dëshmorë të Atdheut me vendim Nr. 62, datë 29.06.2006 të Komisionit të Posaçëm Qeveritar. Ceremonia do të nisë me homazhet në orën 11.00 në Qëndrën Kulturore të Ushtrisë, Tiranë, të cilat do të vazhdojnë deri në orën 12.00. Më pas, arkivolet me eshtrat e dëshmorëve Besnik Hidri e Leka Qokaj do të lëvizen për në varrezat e deshmoreve, Tiranë.