Plani i detajuar vendor, mblidhet Këshilli Bashkiak
Këshilli Bashkiak i Tiranës mblidhet sot ku në axhendë janë përfshirë një sërë vendimesh për t`u miratuar.Çështja me më shumë interes dhe që pritet të diskutohet edhe pse nuk do të jetë në formën e projektvendimit konkret, lidhet me planin e detajuar vendor i cili është dokumenti më me shumë rëndësi pas planit urbanistik të qytetit të Tiranës.Po ashtu, pjesë e diskutimeve do të jenë edhe investimet në shkolla, rikonstruksionet, ndërtimi i shkollave të reja, si dhe çfarë do të bëhet me godinën e konviktit të gjuhëve të huaja.Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe anulimi i vendimit të miratuar në muajin dhjetor për sa i takon taksës vendore për të gjithë kompanitë e telefonive celulare, pas deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha për rishqyrtim të këtij vendimi nga të gjithë këshillat bashkiakë në vend.Po ashtu, një tjetër çështje që do të diskutohet dhe pritet të jetë edhe në qendër të debatit me anëtarët e opozitës, do të jetë edhe vjela e taksave për sa u takon kazinove, të cilat duhet të paguajnë tarifën e vendosur nga bashkia nëse nuk duan që të kalojnë veprimtarinë e tyre dhe të zhvendosen në zonën e Uzinës Autotraktor.Diskutimi më i madh do të jetë lidhur me planin e detajuar vendor, i përcaktuar edhe në Planin Urbanistik të Qytetit të Tiranës si PDV.Diskutimet dhe propozimet për këtë plan do të jenë të paraqitura në formën e një projekti me hollësi dhe informacionin e nevojshëm, njësoj si te plani urbanistik, por në këtë mbledhje sugjerimet dhe paraqitja e strukturës se çfarë do të përmbajë ky dokument do të jenë në vija të trasha dhe gjithëpërfshirëse.Që plani i detajuar vendor të hartohet me detaje nevojitet që paraprakisht Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, KRRTRSH të miratojë Planin Urbanistik të Qytetit të Tiranës, dokumentet e të cilit u miratuan dhe u aprovuan në dhjetor të vitit të kaluar në Këshillin Bashkiak.Sakaq, plani i detajuar vendor do të japë më shumë hollësi për sa u takon ndërtimeve, ndryshimeve dhe do të jetë plotësues për të gjithë informacionin sipërfaqësor që ka paraqitur Plani Urbanistik i kryeqytetit.Në këtë mbledhje të këshillit bashkiak pritet që kreu i bashkisë të prezantojë edhe projektet dhe strategjitë afatshkurtra e afatgjata për vitin 2013, por edhe në vazhdim, në fushën e investimeve, punësimit.