KVV:Mosnjoftimi i zgjedhësve, shkelje serioze e procesit të saktësimit të listave
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) përgëzon dhe mbështet fort Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve në zbatimin me korrektësi dhe pa ekuivok të ligjit, nisur nga vendimi i datës 22 Shkurt për marrjen e masave administrative ndaj Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore të cilët nuk kanë zbatuar kriteret ligjore përsa iu përket të dhënave në lidhje me qendrat e votimit dhe listën e zgjedhësve.Marrja e masës administrative "dënim me gjobë" për 139 kryetarë të njësive të Qeverisjes Vendore, nuk duhet parë si qëllim më vete dhe as si përmbushje e misionit të KQZ-së.Ky qëndrim duhet të prevalojë në mënyrë të palëkundur në punën dhe misionin e KQZ-së për të ushtruar presionin e nevojshëm dhe për të marrë masat e duhura kundrejt të gjithë institucioneve apo strukturave të cilat dëmtojnë përgatitjen në kohë dhe sipas kritereve të kërkuara të infrastrukturës zgjedhore, e veçanërisht aspektit të përgatitjes dhe publikimit të listave të zgjedhësve.Koalicioni është shprehur publikisht më parë[1] në lidhje me procesin e përgatitjes dhe publikimit të ekstraktit të parë dhe të dytë të listës së zgjedhësve, ku ka vënë theksin ndër të tjera për përmbushjen e detyrimit ligjor të njoftimit të zgjedhësve brenda datës 3 mars 2013.Me shumë shqetësim deri më sot konstatohet se asgjë nuk ka ndryshuar nga situata e paraqitur në deklaratën e datës 10 Shkurt 2013.Nga kontaktet e marra me Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe Ministrinë e Brendshme, vërehet se po veprohet në mënyrë flagrante ndaj të vetmit detyrim ligjor që ka shteti shqiptar për të njoftuar me shkrim dhe me kundër-firmë çdo zgjedhës në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku t'i bëjë me dije nëse është i përfshirë në listat e zgjedhësve, me çfarë numri rendor si dhe në cilën qendër votimi do të votojë.Ky proces nuk ka filluar jo vetëm në 139 Njësitë e Qeverisjes Vendore që kanë pasur apo kanë probleme me listat dhe vendndodhjet e qendrave të votimit të gjobitura nga KQZ-ja, por, nuk ka filluar në asnjë Njësi të Qeverisjes Vendore në mbarë vendin. Kjo i faturohet Ministrisë së Brendshme pasi nuk ka lëvruar fondin përkatës për njoftimin e zgjedhësve dhe Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile nuk gjeneron pranë njësive te pushtetit vendor "Modelin Nr. 1", të nevojshëm për tu përdorur për njoftimin e qytetarëve.Koalicioni e konsideron alarmante këtë situatë, pasi pas datës 3 Mars askush nuk detyrohet më nga ligji për të njoftuar qytetarët për qënien apo jo të tyre në listë.Pas kësaj date mbetet vetëm përgjegjësi e qytetarëve për të verifikuar dhe saktësuar nëse ata do të figurojnë në listat finale të zgjedhësve.Koalicioni i kërkon në mënyrë urgjente Ministrit të Brendshëm të ushtrojë autoritetin e tij në përmbushje të ligjit për të detyruar RKGJC të gjenerojë modelin e njoftimit pranë Njësive të Qeverisjes Vendore si dhe të lëvrojë sa më parë buxhetin përkatës.Madje, Koalicioni e nxit Ministrin e Brendshëm të gjejë hapësirat që i siguron ligji për të bërë të mundur përmbushjen e procesit të njoftimit të qytetarëve, edhe pas kalimit të afatit ligjor të parashikuar.Po ashtu, Ministria e Brendshme duhet urgjentisht të mbyllë procedurat e prokurimeve dhe të furnizojë me bazën e nevojshme materiale Zyrat e Gjendjes Civile pranë Njësive të Qeverisjes Vendore, në mënyrë që të mos pengohet publikimi i ekstraktit të tretë të përbërësve zgjedhorë i parashikuar më datën 3 mars 2013.Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve duhet të ndjekë me më shumë vëmendje të gjithë procesin e përgatitjes së listave të zgjedhësve, madje duhet të ushtrojë presionin e nevojshëm dhe të kërkojë informacion nga të gjitha institucionet përkatëse jo vetëm mbi procesin e hartimit të tyre, por edhe mbi atë të shpalljes dhe njoftimit të qytetarëve si pjesë e procesit të verifikimit dhe saktësimit të të dhënave.Gjithashtu, në lidhje me 34 Njësitë e Qeverisjes Vendore të cilat nuk kanë dhënë asnjë informacion pranë KQZ-së apo 57 të tjerat që e kanë sjellë këtë informacion me mangësi, Koalicioni i kërkon KQZ-së të ushtrojë presion mbi to mbi afate të përcaktuara për t'i detyruar në zbatimin e ligjit, madje të ndërmarrë sërish masa të tjera më të forta sipas kompetencave që i lejon ligji.