Ligji për Administratën Gjyqësore, debate në komisionin e ligjeve
Komisioni i Ligjeve ka marrë sot në shqyrtim projektligjin për Administratën Gjyqësore. Mbledhja është shoqëruar me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës.Deputeti socialist Fatmir Xhafaj theksoi se projektligji ka shumë defekte dhe gjykatat mbeten peng i kancelarëve.Sipas tij, Projektligji kërkon të shmangë Kuvendin dhe t'i japë më shumë kompetenca ministrit. “Me projektligjin rrezikohet pavarësia e gjykatave, kërkohet urdhërimi i gjykatës nga ekzekutivi” shtoi më tej Xhafaj.Ndërsa, ministri i drejtësisë Eduard Halimi është shprehur se kjo reformë është shumë e rëndësishme për sistemin e drejtësisë."Sot Ministria e drejtësisë në bashkëpunim me Misioni Euralius, sjellin një ndër reformat më të rëndësishme të sistemit gjyqësor, reforma për modernizimin dhe konsolidimit të administratës gjyqësore në Shqipëri. Kjo reformë e këtij projektligji absolutisht të rëndësishëm adreson edhe gjetjet e Komisionit Evropian, sipas të cilit mungesa e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për administratën gjyqësore në përputhje me standardet evropiane, me gjykata dhe staf gjyqësor të organizuar në mënyrë të qartë, pengon transparencën dhe efiçencën në aktivitetet e gjykatave" tha Halimi.Sipas ministrit Halimi ky projektligj i jep administratës gjyqësore statusin që meriton, e mbron, e përforcon dhe e garanton në ushtrimin e veprimtarisë së përditshme në gjykatë, si barriera e parë e përplasjes së publikut me gjykatën."Reforma e administratës gjyqësore, është një nga çelësat kryesore të forcimit të besimit të publikut tek drejtësia. Takimin e parë me sistemin e drejtësisë, qytetarët e kanë me administratën gjyqësore. Performanca e saj është thelbësore në klimën e besimit të qytetarëve tek sistemi” shtoi më tej Halimi.