Berisha takim me krerët e PD-së në rrethe:Të lëmë mënjanë çdo paragjykim
Ndërsa mbeten edhe 118 ditë nga zgjedhjet e 23 Qershorit, kryeministri Berisha kërkoi anagazhimin e të gjitha strukturave të Partisë Demokratike në rrethe.Në një takim me krerët demokratë në rrethe, kryeministri Berisha theksoi se PD-ja, si forca kryesore politike në vend shkon drejt 23 Qershorit e vendosur të përpunojë vizionin dhe projektin më të mirë të Shqipërisë së zhvilluar europiane për 4 vitet që vijnë.“Zgjedhjet janë te porta dhe kjo kërkon mobilizimin total të të gjitha potencialeve të PD-së. PD-ja do mbetet lokomotiva e proceseve integruese të Shqipërisë. Ajo ka qënë dhe mbetet parti e reformave të mëdha, e guximit, dhe e reformave dhe suksesit të tyre. Në këtë kontekst është jashtëzakonisht e rëndësishme që së bashku të bëjmë gjithçka për të tërhequr mendimin e çdo zgjedhësi shqiptar. Të lëmë mënjanë çdo paragjykim. Çdo paragjykim që ne mund të mbartim bie ndesh me substancën e kësaj force politike, ndaj dhe kërkesa ime është të përpiqemi të debatojmë pa asnjë lloj paragjykimi, të dëgjojmë sa më shumë zërat e qytetarëve dhe problematikën e tyre. Nuk mund të jetë suksese ato që na bëjnë ne të injorojmë dhe zërin më të mekur, në asnjë mënyrë ” tha Berisha.Kryeministri Berisha shtoi më tej se Partia Demokratike do të mbrojë sukseset e arritura ndërsa kërkoi nga strukturat që në dialogun me qytetarët duhet t`i bindin ata për këto arritje.“Ne sukseset do t’i mbrojmë, nuk janë personale, janë sukses i reformave dhe qytetarëve. Po në rast se ne do t’i përdorim ato si një eufori do të ishte e padrejtë. Ne sukseset i kemi për ti bindur se mbajmë premtimet, se jemi ndryshimi, se ne në këtë periudhë qeverisje kemi bërë transformimet më të thella. Në dialogun me qytetarët ne duhet të bindim ata se interesi i tyre është interesi më madhor yni. Ne duhet t`i bindim qytetarët që anëtarëismi në NATO është arritja më e madhe, lëvizja e lirë është realizimi i ëndrrave shekullore të shqiptarëve por të mos harrojmë që mbrojtja nga kjo krizë që ka pushtuar Europën dhe vendet e tjera ka qënë suksesi më i madh pas atyre arritjeve për çdo shqiptar” shtoi më tej Berisha.Kryeministri Berisha ka sulmuar edhe kryesocialistin Rama sa i përket deklaratave të tij për ekonominë.“Kur zotëria bërtet se kryeministri e krahason me Gjermaninë bëhet qesharak. Rritja ekonomike është rritje ekonomike kudo qoftë ajo. Ata që shpallën që Shqipëria kanë një rritje 4 përqind më të madhe në rajon ata e kanë të qartë se rritja matet si përqindje e GDP. Ai u premtoi shqiptarëve se ai do të vendosë një ligj që borxhin ta llogarisë banka e shtetit dhe ta llogarisë si përqindje e prodhimit të brendshëm të GDP. Nëse do ta vendosim në një sferë këtë modul do të ishte injoranca e pakufijshme. Po të paktën kur nuk i ke të qarta mos i thuaj sepse kjo tregon që ekonomia tek ti ka mbetur te ngjyra gri të piktorit të dështuar” shtoi Berisha.Gjithashtu kryeministri Berisha kërkoi nga krerët e PD-së në rrethe që t`u shpegojnë qytetarëve referendumin që do të zhvillohet për 3 ligjet.“Referendumi, teksti i të cilit po përgatitet nga një grup i kryesuar nga kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmajli ishte lëvizja që ne morën pasi u shteruan të gjithë mundësitë e tjera. Ju duhet të sqaroni zgjedhësit tanë. Këto 3 ligje janë ndërmjetësuar që të treja nga komiteti ndërkombëtar por të treja në prezencë të faktorit ndërkombëtar është arritur mirëkuptimi i plotë. Mirëkuptimi ka ardhur kur ne kemi kaluar marrëveshjen në Parlament dhe është votuar pasi një zyrtar i lartë i Brukselit ka zhvilluar ndërmjetësim intensiv dhe kjo është e vërteta. Pas kësaj zoti Rama përsëri u tërhoq. Referendumi duhet të jetë edhe kjo një çështje dialogu, debati, mirëkuptimi me qytetarët. Do të donim shumë që në 23 Qershor qytetarët të votonin edhe për deputetët edhe për integrimin por kjo është e pamundur të bëhet pasi ligji nuk e lejon këtë” ka shtuar Berisha.