Rama-deputetëve socialistë: Paketë kundër armëve dhe krimit
Kreu i PS-së Edi Rama i është rikthyer sërish gjendjes së sigurisë në vend pas vrasjes së komisarit Dritan Lamaj.Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, kryesocialisti Rama kërkoi nga deputetët socialistë të Komisionit të Ligjeve angazhim të plotë për një paketë propozimesh kundër armëve.“Tre komisarë të vrarë dhe asnjë ndryshim, asnjë masë për ta ringritur në këmbë policinë, sa herë ne ngremë shqetësimin, kemi reagime brutale. Kërkoj nga deputetët e Komisionit të ligjeve të angazhohen për një paketë propozimesh kundër armëve në veçanti dhe krimit në përgjithësi, edhe pse mendoj se nuk është problemi i ligjit por më tepër është boshllëku mendor, moral dhe programor i qeverisë dhe boshllëku ekonomik e social për shkak të keqqeverisjes” tha Rama.Ndërsa i është referuar deklaratës së kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit të PD-së, Rama theksoi se qeveria në vend që të sigurojë jetën e qytetarëve bën opozitën e opozitës."Kryeministri në vend që të mbante një fjalim për atë që ka ndodhur dha shfaqjen e radhës para grupit parlamentar të PD-së duke sharë opozitën. U bë kohë që qeveria bën opozitën e opozitës, sulmon idetë tona pastaj i kopjon ato kur janë ide që kanë mbështetje në popull" tha Rama.Gjithashtu Rama ka shprehur shqetësimin e madh për atë që ai e ka quajtur situatë alarmante të krimit dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë përballë saj. Sipas tij, qeveria po kërkon të armatosë zyrtarët në një kohë kur kriminaliteti është rritur."Ligj absurd për të armatosur ministra deputetë e zyrtar. Krimi e ka zënë Shqipërinë për fyti dhe nuk kemi arsye të lodhemi se kur PD erdhi në qeveri evidentoheshin 8250 krime në vit, në 2012 u evidentuan mbi 20 mijë krime. Diferenca në 7 vite qeverisje është gati 12 mijë, dhe mesatarisht 1500 krime në vit" theksoi më tej Rama.