Berisha: Shërbimi e-Payment, i prekshëm brenda vitit
Kryeministri Berisha ka inaguruar sot shërbimet mTax dhe ePagesa, në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.Kryeministri Berisha u shpreh se me këto shërbime bëhet hapi i parë i madh drejt projektit të katër viteve që vijnë, projekt i cili do të konsistojë në m-Albania.“M-Albania, synon t’u japë në dorë, në celularin e tyre, qytetarëve shqiptarë dhe biznesit të gjitha shërbimet e kësaj administrate, të gjithë informacionin që prodhon kjo administratë” tha Berisha.Gjithashtu, Kryeministri theksoi se është e domosdoshme që edhe doganat të adaptojnë me shpejtësi shërbimin e-Pagesa.“Unë i garantoj qytetarët se shërbimi e-Payment do të jetë një realitet i prekshëm nga të gjithë shqiptarët brenda vitit 2013. Le të kalojmë ne gradualisht tek monedha elektronike. Është padiskutim monedha më e pastër, më e sigurt, monedha më qytetare në kuptimin e shërbimeve ndaj qytetarit. Ne kemi krijuar të gjithë infrastrukturën për të kaluar në këtë monedhë, e cila do të çojë Shqipërinë dhe tregun në tërësi shumë më përpara”, u shpreh kryeministri Berisha.mTax dhe ePagesamTax dhe ePagesa jane dy shërbimet më inovative të administratës shqiptare dhe asaj tatimore në veçanti. Shërbimi i parë mTax, taksat nga celulari është aplikacioni i parë qeveritar për platformat celulare Apple (iPhone, iPad) dhe Android.Ndërtimi i këtij aplikacioni është një investim prej 13 Milion Lekë i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe i mundëson çdo tatimpaguesi të kontrollojë të gjithë situatën e tij tatimore nga telefoni celular dhe do të ndihmojë tatimpaguesit të deklarojnë dhe paguajnë në kohë detyrimet tatimore pa qenë e nevojshme të paraqiten në sportelet e shërbimit të administratës.Në këtë mënyrë, reduktohen ndjeshëm kostot administrative të biznesit dhe krijohet sporteli i shërbimit Tatimor në dorën e tatimpaguesit.Shërbimi i dytë është pagesa elektronike (e-Payment), një investim prej 10 milion lekë i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.Është zhvilluar sistemi i pagesës elektronike i cili lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me bankat e nivelit të dytë, për të realizuar pagesat nga biznesi për llogari të administratës tatimore.Të gjithë tatimpaguesit të cilët deklarojnë mund të bëjnë pagesën e detyrimeve tatimore në Internet nëpërmjet formës elektronike në sistemin e Tatimeve pa qenë nevoja të paraqiten në sportelet e bankës.Ky shërbim shkurton kohën që i duhet një biznesi të deklarojë dhe paguajë detyrimet tatimore, duke ulur kostot administrative të biznesit, rritur transparencën dhe cilësinë e shërbimeve të administratës tatimore ndaj bizneseve.