Pranga kryeplakut hajdut, akuzohet se ka vjedhur linjën e energjisë elektrike

Të ndaluarit e dy ditëve më parë nga policia e Mirditës, për vjedhjen e gjeneratorit të operatorëve celularë në rrethin e Mirditës, ka rezultuar se janë autorë të vjedhjes së linjës elektrike që ka lënë në errësirë prej disa javësh disa fshatra në rrethin e Mirditës. Ai që duhej të rezultonte si mbrojtësi i zonës, ka rezultuar të jetë shkaktari i problemeve për banorët e Mashtërkorit. Kryeplaku i këtij fshati, Dedin Koka, është kapur një ditë më parë në flagrancë duke kryer vjedhjen e radhës, ndërsa është ndihmuar edhe nga një person tjetër i cili ka mundur të largohet nga vendngjarja, ndërsa sendet e vjedhura depozitoheshin tek 39 vjeçari, Viktor Ndoi edhe ky i arrestuar nga policia.Sipas burimeve pranë drejtorisë së policisë në Lezhë, bëhet e ditur se shtetasit e lartpërmendur, vidhnin linjën elektrike të fshatit Nënshejt, ndërsa dyshohet se të ndaluarit kanë edhe histori të mëparshme të vjedhjeve. Sipas policisë, ata janë autorë të shumë vjedhjeve, të cilët me veprimet e tyre kanë lënë pa energji me javë të tëra fshatra të zonës së Oroshit në Mirditë, e po kështu edhe pa sinjal operatorët celularë. Ndaj tyre ka nisur një hetim i hollsishëm për të vërtetuar pretendimet e policisë për aktivitetin e tyre kriminal të vjedhjes.