Rama pranon gabimin për median: Do rregullojmë hendeqet e papranueshme

Para përfaqësuesve të medias, të diplomatëve të ftuar në darkën e mbajtur me rastin e marrjes së detyrës së zëvendëspresidentit të Internacionales Socialiste kreu i PS-së, Edi Rama, pranon publikisht se ka gabuar duke hapur hendeqe të papranueshme me median.Madje premton se kur të vijë PS në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit, mediat nuk do të jenë me preferenca dhe gjithcka për ta do jenë online.“Rregulla loje të njëjta për të gjithë operatorët në treg. Çdo dokument që prodhon qeverisja do jenë të hapur. Pas 23 qershorit nuk do ketë me mbajtje dokumenta të fshehura. Çdo media dhe qytetar do kete mundesi te ndjeke çdo qindarke te shpenzuar. Pas 23 qershorit do fiket propaganda qeveritare për suksese imagjinare. Televizioni Publik do jetë sipas standardeve europiane” theksoi Rama.Kryetari i Partisë Socialiste, ka falënderuar emrat e njohur dhe të rëndësishëm në PS për këtë arritje në Internacionalen Socialiste, duke mos lënë pas as paraardhësin e tij Fatos Nanon dhe kreun e LSI Ilir Metën.“Asnjëherë nuk e kisha parafytyruar dot këtë mbrëmje. Se kisha menduar se kjo ditë do të vinte, të paktën jo pa kaluar disa vite. Kremtimin e një ngjarje që për partinë tonë është historike, jo sepse u zgjodha unë, por sepse u zgjedh kreu i PS-së së Shqipërisë. Është diçka e jashtëzakonshme që ndodh në një moment të pazakontë në vendin tonë, prandaj unë sot jam i lumtur që kam mundësinë ta ndaj me ju domethënien e posaçme të kësaj ngjarje. Vlerësim për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për PS. Vlerësim edhe për Fatos Nanon dhe Ilir Metën, edhe pse vazhduan rrugë tjetër. Pa këtë rezistencë nuk do ishim sot kaq shumë pranë fitores. Falenderim edhe për të gjithë aleatët tanë pasi kanë një kontribut të madh.Falenderoj dhe gruan time Linda për kontributin dhe mbështetjen”tha ai.Ndërkohë për Kryesocialistin e premtja ka qenë e ngarkuar pasi ka prezantuar edhe programin e PS për rilindjen kombetare dhe ndryshimet që do sjellë ajo pas 23 qershorit.