Cefa në analizën e gjykatave në Korçë: Jini objektivë në dënimin e autorëve
Duke marrë shkas nga konstatimet e rritjes së numrit të disa veprave penale, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Elvis Çefa, kërkoi nga gjyqtarët që të jenë sa më objektivë në aplikimin e politikave penale në dënimet ndaj autorëve.Ndërsa ka marrë pjesë në zhvillimin e analizave vjetore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, të Gjykatës të Apelit Korçë dhe të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, Cefa tha se politika e ashpër penale për vepra si dhuna ngaj grave apo krimi në familje, i shërben parandalimit të krimeve të kësaj natyre në të ardhmen.Në takimet në fjalë, përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke vlerësuar punën e bërë nga trupat gjyqësore në fjalë gjatë vitit 2012, garantuan gjyqtarët se reforma në gjyqësor do të jetë një proces objektiv, për të bërë të mundur, që promovimi dhe transferimi i gjyqtarëve, të mbahet jashtë dhe larg çdo pazari politik dhe jopolitik.Në mbyllje të fjalës së tij Cefa u shpreh: "Më lejoni që në emër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë t'ju shpreh falënderimet për punën e bërë duke ju përçuar mesazhin që Këshilli i Lartë i Drejtësisë është jashtëzakonisht i interesuar në rritjen e parametrave dhe në mbikqyrjen në mënyrë të vazhdueshme të cilësisë së dhënies drejtësi në Republikën e Shqipërisë. Përtej rezultateve dhe shifrave, imazhi i njerëzve që japin drejtësi duhet të përmirësohet por, sidomos krijimi i bindjes tek publiku se gjyqtarët janë të pavarur dhe të paanshëm ka rëndësi të dorës së parë për KLD.".