Kthehet në atdhe kontingjenti “EAGLE-5” me mision në Kandahar
Është kthyer sot në atdhe kontingjenti “EAGLE-5”. Ky kontingjent ishte i përbërë nga 45 ushtarakë të Batalionit të Forcës Speciale. Trupat u pritën në Aeroportin e Rinasit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, ushtarakë, familjarë dhe të afërm të paqeruajtësve.Kontingjenti "Eagle-5" përfundoi me sukses misionin gjashtëmujor në kuadër të angazhimit me Aleancën e Atlantikut të Veriut në misionin ISAF, Afganistan. Trupat e "Eagle-5" kanë realizuar operacione dhe detyra luftarake në zonën e përgjegjësisë së bashku me trupat amerikane në Kandahar, Afganistan.Në fjalën e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ju uroi mirëseardhjen kontingjentit “EAGLE-5”, në emër të ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, Forcave të Armatosura si dhe mbarë popullit shqiptar, si dhe i përgëzoi ata për arritjet në përmbushjen me sukses të detyrës përkrah trupave të Aleancës. Më tej gjeneralmajor Gjunkshi ka nënvizuar se:“Në misionin luftarak “EAGLE-5”, ju treguat aftësinë dhe profesionalizmin që ka Batalioni i Forcës Speciale për të vepruar si të barabartë me partnerët tanë në zonën e operacionit luftarak në Kandahar, Afganistan, duke kryer me sukses detyra nga më të vështirat dhe të njëjta me ato të Forcave Speciale të vendeve aleate. Ajo që na bën më të lumtur të gjithë ne është fakti se ju ktheheni shëndoshë e mirë pranë familjeve tuaja”.Në vijim gjeneralmajor Gjunkshi u ndal në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar para dy ditësh në Batalionin e Forcave Speciale, në nderim të veprës së “Dëshmorit të Atdheut”, Kapiten Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës në misionin COMBAT “EAGLE-4” në Kandahar, Afganistan.“Në Batalionin Special, të gjithë së bashku, ne ndamë kujtimin e hidhur të rënies në detyrë të “Dëshmorit të Atdheut”, kapiten Feti Vogli. Në shenjë respekti dhe nderimi për figurën e tij, ne ngritëm dhe vendosëm bustin e tij.Të gjithë ne dhe mbarë populli shqiptar krenohemi me punën, aftësinë dhe profesionalizmin tuaj në realizimin me sukses të çdo detyre të ngarkuar dhe shprehim mirënjohjen tonë. Ju siguroj se do të jemi gjithmonë pranë jush dhe familjeve tuaja për t’u mbështetur në çdo hap tuajin”tha ai.