KQZ, shqyrton sot për buxhetin dhe për masat administrative
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që të marrë sot në shqyrtim 4 pika të rëndësishme që kanë të bëjnë me caktimin e masës së shpërblimit për auditët teknicien për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC), vendosjen e sanksionit administrativ ndaj kryetarëve të njësive vendore që nuk kanë dorëzuar në KQZ dhe/ose kanë dorëzuar në kundërshtim me Kodin të dhënat mbi qëndrat e votimit.“Një pjesë e konsiderueshme e kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore, nuk kanë realizuar detyrimet ligjore të sipërcituara brenda afateve ligjore të përcaktuar në nenin51,të Kodit Zgjedhor, dhe të nenin 9 pika 10, të Udhzimit nr. 2 datë 12.12.2012. 62 njësi të qeverisjes vendore nuk kanë sjell fare informacion në KQZ, dhe 77 njësi të qeverisjes vendore kanë sjell informacion në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Në kushtet kur informacioni i caktuar në dispozitat e mësipërme është shumë i rëndësishem në procesin e përgatitjes së bazës materiale zgjedhore për çdo zonë zgjedhore dhe qendër votimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, çmon se shkelja e dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij nga Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore, në këtë rast përbën kundravajtje administrative” thuhet në relacionin e KQZ-së.Gjithashtu sot KQZ-ja do të shqyrtojë edhe miratimin e raportit vjetor për veprimtarinë e KQZ-së për vitin 2012 si dhe miratimin e strukturës së shpenzimeve buxhetore. Buxheti i detajuar që do të përdoret për zgjedhjet e 23 qershorit, kap shifrën 727,254,886 milion lekë. Pjesën më të madhe të këtij buxheti pritet ta zënë pagat dhe shpërblimet e punonjësve të administratës si dhe të komisionerëve të komisionet e ndryshme zgjedhore.Në këtë buxhet KQZ përfshinë pagat e personelit të përkohshëm, shpërblime për anëtarë të KZAZ, KQV, GNV, trajnues, Bordin e Monitorimit të Mediave, mallra të ndryshme, përfshirë këtu karburantin, kancelaritë apo dhe shtypshkrimet. Një tjetër pjesë e buxhetit janë dhe shërbimet e transportit, udhëtimet, shërbime për qeramarrje, etj apo dhe investime në pajisje komjuterike si dhe për sistemin e kamerave.