Reeker nis sot takimet zyrtare me krerët e shtetit

Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Philip Reeker nis sot disa takimet zyrtare në Tiranë me krerët më të lartë të shtetit.Ai do të takohet me ministrin e jashtëm Edmond Panariti, kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama.Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Tiranë vjen një javë pasi u publikuan pjesë të një memoje të Uashingtonit ku dënoheshin me tone të forta deklaratat me sfond nacionalist duke theksuar “zhgënjimin e thellë dhe shqetësimin liderët shqiptarë po i largohen rolit tradicional konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon”.Përmes ambasadorit amerikan në TIranë Aleksandër Arvizu, Shtetet e Bashkuara shprehën hapur shqetësimin e tyre për këtë valë nacionaliste.Duket se kjo çështje do të mizotërojë edhe në takimet e sotme të Zv.sekretarit amerikan të shtetit Reeker me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.Gjithashtu një tjetër çështje që pritet që zyrtari i lartë amerikan të diskutojë me krerët e shtetit janë edhe zgjedhjet e 23 Qershorit.Më herët Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira e demokratike në 23 Qershor.Sipas diplomatit amerikan, Shqipëria e ka rastin t’i dëshmojë jo vetëm bashkësisë ndërkombëtare, por edhe vetë qytetarëve të saj, se është në gjendje të zhvillojë zgjedhje demokratike dhe të lira.