Westerwelle me Panaritin: Për BE-në, s`bëjmë lëshime, plotësoni kriteret

Ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle i cili ndodhet në vendin tonë që prej ditës së djeshme ka nisur sot axhendën e takimeve me krerët më të lartë të shtetit.Takimin e parë, kryediplomati gjerman e ka zhvilluar në orën 09:00 me homologun shqiptar Edmond Panariti ndërsa pas bisedimeve bilaterale është mbajtur edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.Në fjalën e tij, ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle ritheksoi edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian por shtoi se vendit tonë nuk do t`i bëhen lëshime sa i përket plotësimit të kritereve."Shqipëria e përqëndron shikimin e saj drejt e Europës dhe ne e përshëndesim.  Gjermania mbështet prespektivën europiane të Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Shqipërinë. Por duhet të plotësohen disa kritere dhe nuk mund të bëjmë lëshime për plotësimin e kritereve por nuk do të ketë edhe vështirësi të veçanta për Shqipërinë” theksoi ministri gjerman.Ndërsa kërkoi bashkëpunimin e të gjitha forcave politike në Shqipëri për integrimin e vendit, ministri gjerman theksoi se zgjedhjet do të jenë të rëndësishme për marrjen e statusit të kandidatit."Ekziston një konsensus brenda shoqërisë shqiptare për integrimin dhe ky konsensus duhet të gjejë shprehje edhe në qëndrimin e forcave politike në Shqipëri. Liria e paqes dhe mirëqënies bazohet te demokracia, pavarësia e pushtetit gjyqësor por mbi të gjitha është zgjidhja e mosmarrëveshje përmes dialogut dhe jo polemikave të ashpra. Me rëndësi që zgjedhjet  që do të zhvillohen së shpejti të jenë të suksesshme dhe mbi bazën e parimeve europiane” theksoi Westewelle.Kryediplomati gjerman iu referua edhe deklaratave nacionaliste duke theksuar se ndjenjat kombëtare dihet të trajtohen me përgjegjësi nga politikanët shqiptarë."Ndjenjat kombëtare duhet të trajtohen me shumë kujdes sidomos në kohën e një fushate elektorale. Qëllimi i përbashkët duhet të jetë që të gjitha shtetet e rajonit të jenë pjesë e BE-së dhe të gjithë qytetarët të lëvizin lirisht. Për ne ndryshimet e kufijve nuk do të lejohen në Ballkan” shtoi ministri gjerman.Ndërsa, ministri Panariti theksoi se ka marrë mbështetjen e homologut për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “I shpreha padurimin për ta pasur mes nesh, ne konfirmuam nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, diskutuam për forcimin partneritetit mes dy vendeve tona, zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, sidomos në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, me problemet në Ballkanin perëndimor. Ai më konfirmoi angazhimin për mbështetjen për marrjen e statusit për vendin kandidat për Shqipërinë, unë e sigurova për përkushtimin e palëkundur të autoriteteve shqiptare për tu integruar” tha Panariti.Sipas tij, Gjermania mbetet partner i rëndësishëm ekonomik e politik për Shqipërinë ndërsa shtoi se sëbashku me homologun e tij, ndanë të njëjtën mendim se bashkëpunimi ekonomik mbetet kapitull i rëndësishëm i mbështetjes dypalëshe.“I deklarova se ne jemi të angazhuar për fqinjësinë e mirë dhe integrimin e rajonit, rol bashkëpunues me të gjitha vendet e rajonit. Kjo vizitë siguron në mënyrë të vendos marrëdhëniet e shkëlqyera mes nesh" tha ministri Panariti.

Ndërkohë në orën 10:10, ministri Westerwelle është takuar edhe me presidentin e Republikës Bujar Nishani ndërsa në orën 11:00 me kryeministrin Sali Berisha.Gjithashtu ministri i jashtëm gjerman në orën 12:00 është takuar në selinë rozë edhe me kreun e PS-së Edi Rama.