Çelet ekspozita e piktorit Genti Korinit, Berisha: Kontribut thelbësor në pikturën shqiptare
Çelet ekspozita me punime abstrakte me titullin "struktura kalimtare" e autorit Genti Korini. Në këtë ceremoni hapje të pikturave me motive abstrakte e komplekse, midis figurave të tjera të politikës ka qënë edhe kryeministri i vendit Berisha, i cili pergëzoi autorin për punën e tij.“Kjo ekspozitë, e artistit Genti Korini, është e veçantë, është një sukses i vërtetë. Është e veçantë, sepse është një ekspozitë e tërë me vepra të abstraksionizmit, rrymë kjo që për gjysmë shekulli ishte e ndaluar, e dënuar, por e vërteta është që duhet të themi se edhe pas daljes në hapësirën e lirisë nuk është se mori atë zhvillim që duhet të merrte në artin tonë pamor. Genti, një piktor i talentuar, i guximshëm, paraqitet këtu me një sukses të admirueshëm. Është një piktor i madh dhe me një kontribut thelbësor në pikturën shqiptare. Ka një raport shumë të sinqertë me format, ngjyrat dhe përpiqet me sukses të bëjë të flasë struktura, e brendshmja” tha Berisha.Veprat e autorit Korini shprehin një botë mbi bazën e rrymave të njohura të fillim shekullit XX dhe janë domethënëse për kohën në të cilën jetojmë, u shpreh Drejtori i Galerisë së Arteve Rubens Shima.Ekspozita, e karakterizuar si një pikturë që flet për vetveten, që përcon një lloj imazherie e që shfaqet si një lloj strukture a gjeometrie e cila merr formë dhe bashkëjeton me lëndën përbërëse abstrakten, do të qëndrojë e hapur deri më 23 mars.