Cannon: Zgjedhjet kyç për integrimin, tre ligjet zënë vetëm një pjesë e vogël
Tre ligjet nuk janë kushti thelbësor për integrimin, pasi Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe nuk mund të marrë detyra shtëpie. Ky ka qenë mesazhi i dhënë prej ambasadorit britanik në Tiranë Nicholas Cannon. Sipas diplomatit të Britanisë së Madhe integrimi është një proces i gjatë dhe 3 ligjet janë vetëm 3 tulla në të.“Tre ligjet nuk kanë rëndësi për integrimin pasi shikoj se janë kthyer në një çështje thelbësore. Procesi i integrimit është shumë i gjatë që do të duhen vite dhe këto 3 ligje janë vetëm tre tulla në atë masë që duhet të ndërtohet për integrimin. Por duhet të krijohen kushtet që këto ligje të miratohen” tha Cannon.Ndërkohë ai i përcaktoi si jetike zgjedhjet e lira dhe të ndershme në 23 qershor. Sipas ambasadorit Cannon realizimi i zgjedhjeve të dyshimta do të thoshte një rikthim pas në vite.“Zgjedhjet e 23 Qershorit janë të rëndësishme dhe nëse do të jenë të mira do të jenë një shtysë për integrimin nëse do të jenë të dyshimta atëherë do të kthejnë pas procesin e integrimit. Në zgjedhje duhet të ketë pjesëmarrje të lartë qytetarësh dhe politika duhet të ofrojë larmi kandidaturash. Gjithashtu duhet të mbrohet e drejta e votës ” është shprehur ndër të tjera ambasadori britanik.Këto deklarata të Cannon u bënë në një forum të politikës së jashtme për zgjerimin e BE-së ku merrnin pjesë edhe ambasadorë të tjerë. Diplomat ii Britanisë në Tiranë shprehu mbështetjen në emër të vendit të tij për integrimin e Shqipërisë sa më parë në Bashkimin Europian.