Rama në Kavajë: Plan i përgjithshëm për organizimin e sistemit spitalor

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në kuadër të prezantimit të programit për një Rilindje Shqiptare në fushën e shëndetësisë, ka vizituar Spitalin e Kavajës, një investim i ri, i cili megjithëse ka vetëm 2 vjet që ka përfunduar paraqet probleme për shkak të punimeve pa cilësi të kryera aty. Mjekët e spitalit nga ana tjetër ngrenë shqetësimin se kur bëhen projektet e godinave dhe mjediseve spitalore nuk merret mendimi i tyre, duke krijuar më pas probleme në vënien në funksionim të këtyre mjediseve.Kryetari Rama në bisedë me mjekët e këtij spitali është shprehur se pavarësisht se paratë në adresë të sistemit shëndetësor janë po njësoj, sistemi është i tëri i dështuar dhe në kolaps. Paratë edhe aty ku janë investuar janë bërë kuturu dhe jo në bazë të një plani kombëtar për sistemin spitalor:“Këtu janë dy gjëra shumë të qarta në tërësi. Nga njëra anë është se sistemi ka rënë, për shkak të një mijë e një arsyeve, që ju i dini më mirë se unë dhe shumë qendra shëndetësore, shumë struktura spitalore janë të rrënuara pavarësisht se nuk është zvogëluar buxheti për to në vite, po një pjesë e buxhetit ka shkuar në drejtime të paditura. Dhe nga ana tjetër edhe aty ku është investuar, leku është investuar pa një plan të përgjithshëm kombëtar të organizimit të sistemit spitalor, pa një gjykim profesional të distancave, ndarjes së roleve dhe përgjegjësive. Për të mos folur pastaj për këtë pjesën tjetër që fillon e pikon tavani pa filluar mirë puna dhe aparaturat që mungojnë. Këto janë pastaj ajo “qershia mbi tortë”theksoi ai.Tjetër problematikë sipas mjekëve mbetet mungesa e specialistëve në fushën e kirurgjisë. Një pjesë e specialistëve të emëruar këtu nuk janë nga Kavaja, por vijnë nga qytete të tjera dhe kjo bën që ata të mos jenë gjithë kohës në gjendje të paraqiten në spital nëse vijnë raste urgjencash.Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama nga ana e tij është angazhuar për një riorganizim i plotë nga pikëpamja e burimeve njerëzore në sistemin spitalor në vend:“Gjëja që jam shumë dakord me ju është që ne duhet me patjetër të organizohemi nga pikëpamja e burimeve njerëzore, që të kemi njerëzit e duhur në vendin e duhur. Me këtë sistem çorganizimi të organizuar që ka lidhje me të tjera arsye po jo me arsyen që të bëjmë sistem spitalor dinjitoz në të gjithë territorin, nuk mund shkojmë asgjëkund.”Partia Socialiste është angazhuar dhe ka bërë publik prej kohësh për një shërbim kombëtar shëndetësor, ku sipas tij askujt nuk do t’i varet kujdesi shëndetësor nga aftësia për të paguar.