22 vjet pa “Enver Hoxhën”, Berisha: Me 23 qershor do shembim murin e bllokimit

Kryeministri Berisha iu bashkua sot pasdite koncertit të madh festiv, organizuar në sheshin “Demokracia”, në qytetin Studenti, me rastin e 20 shkurtit, ditës së rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, 22 vjet më parë, në Tiranë.Ky koncert mblodhi në këtë shesh qindra e mijëra të rinj e të reja, studentë e qytetarë nga Tirana e mbarë Shqipëria, ish studentë pjesëmarrës në grevën më masive të urisë 22 vjet më parë, për të përkujtuar së bashku këtë ditë të shënuar, simbol të përmbysjes së diktaturës hoxhiste, por edhe për të nderuar ditën kombëtare të kujtesës së martirëve dhe viktimave të sistemit komunist.Në shenjë simbolike, disa të rinj e të reja shembën “murin bllokues të integrimit”, të improvizuar prej tyre në skenën e këtij koncerti, mur i ngritur nga mosvotimi i 3 ligjeve të rëndësishme në parlament, që bllokojnë marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha e vlerësoi 20 shkurtin si ditën e guximit, e heroizmit, e lirive, e të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve, duke shprehur nderimet më të mëdha për kontributin e studentëve të lirisë, e qindra e mijëra qytetarëve të Tiranës e mbarë Shqipërisë, që përmbysën në 20 shkurt diktaturën më të egër komuniste në Evropë, shtatoren e Enver Hoxhës, “Hitlerit” të shqiptarëve të pas Luftës së Dytë Botërore.Gjithashtu, Kryeministri Berisha ftoi gjithë të pranishmit në këtë shesh që të mbanin një minutë heshtje, në nderim të të gjithë atyre martirëve të lirisë që, në diktaturë, flijuan jetën dhe rininë për dinjitetin dhe liritë që gëzon çdo shqiptar sot.Kryeministri theksoi se sot, pas 22 vitesh, çdo qytetar i këtij vendi ka shumë arsye të ndihet krenar më shumë se kurrë për zhvillimin e kombit të tij, sepse, nga vendi më i izoluar i planetit, nga vendi i tretë më i varfër i botës, vendi i rrethuar me tela me gjemba, vendi i eksodeve biblike, sot jemi vendi anëtar i NATO-s dhe qytetarë të cilët lëvizim të lirë në mbarë Evropën.“Jemi vendi i zgjedhjeve të lira, i shtetit ligjor, i demokracisë që funksionon. Sistemi i vlerave, sistemi i demokracisë, sistemi i normave dhe i të drejtave, është kryevepra jonë 20 vjeçare. Liria është dhe do të mbetet pasioni i shpirtit tonë”, nënvizoi Kryeministri Berisha.