Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Reeker viziton nesër Tiranën
Zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Philip Reeker viziton nesër Tiranën.Mësohet se gjatë vizitës dy ditore në Tiranë, Reeker do të takohet me krerët më të lartë të shtetit. Axhenda e takimeve të diplomatit amerikan nis ditën e enjte, ku Reeker do të takohet Ministrin e Jashtëm Edmond Panariti, me të cilin pritet të ketë një diskutim të gjatë të kërkuar nga vetë zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë. Reeker gjithashtu do të takohet edhe me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha, dhe kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.Pritet që zhvillimet më të fundit në vend, si dhe zgjedhjet e 23 Qershorit, do të jenë në fokus të diskutimeve të zyrtarit të lartë amerikan i cili pritet të japë një mesazh të rëndësishëm për politikën shqiptare.Më herët Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira e demokratike në 23 Qershor.Sipas diplomatit amerikan, Shqipëria e ka rastin t’i dëshmojë jo vetëm bashkësisë ndërkombëtare, por edhe vetë qytetarëve të saj, se është në gjendje të zhvillojë zgjedhje demokratike dhe të lira.Gjithashtu, Reeker është shprehur se SHBA-të janë të shqetësuara për retorikën nacionaliste që dëgjohet nga politikanët në Shqipëri, dhe ka thënë se kjo retorikë devijon fokusin nga çështjet e rëndësishme.