Berisha: 20 Shkurti, dita e kujtesës kombëtare. Rama tallet me Rilindjen

Kryeministri i është referuar sërish në mbledhjen e qeverisë, 20 Shkurtit, rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha.Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se kjo datë është shënuar në historinë e kombit si dita e kujtesës kombëtare."Sot në historinë e kombit është një ngjarje e veçantë, një datë  nga më të rëndësishmet pasi është dita e kujtesës kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist. Ditë e shpallur në ditën në të cilën 22 vite më parë qytetarët e Tiranës, të rinjtë e kryeqytetit, studentët pas një greve e cila është më masivja që mund të ketë ndodhur rrëzuan me një përballje legjendare me regjimin komunist shtatoren e diktatorit Enver Hoxha. Kjo nuk ishte betejë me bronxet por me diktaturën në fuqi, me bronxet e gjalla" theksoi Berisha.Sipas kryeministrit, 20 Shkurti shënon edhe fundin e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe hapjes së rrugës së realizimit të ëndrrave të lirisë së shqiptarëve."Enver Hoxha që do ta quanin Hitlerin e pasluftës e shndërroi Shqipërinë në kombin më të skllavëruar, më të varfër. E shndërroi shqipërinë në vendin e burgjeve dhe e kampeve të përqëndrimit më të shumta dhe viktimat e regjimit ishin më të mëdha se në të gjitha vendet komuniste përveç Bashkimit Sovjetik” shtoi Berisha.Kryeministri Berisha sulmoi edhe kryesocialistin Rama dhe taskën progresive të opozitës. "Koncepti ynë dallon me konceptin tjetër që edhe dje faktoi që është skllav i dajos së tij. Le të thotë që nuk është nipi i Spiro Kolekës por me taskën e tij progresive është. Ky zotëri në vend që ti largohet asaj e mbron dhe me çfarë argumenti, me shpifjet nga më të ultat.  Ne jemi kundër taksës progresive pasi ajo është taksa e urrejtes klasore. Në çdo studim faktohet se taksa progresive shkatëron qindra mijëra vende pune dhe nxit evazionin fiskal” theksoi Berisha.Kryeministri Berisha e vlerësoi si tallje nga ana e Ramës që deputetët e PS të krahasohen me rilindësit e shquar.“Ai (Rama) paraqet rilindësit e tij, Anastas Angjelin në vend të Papakristos, Gramoz Ruçin në vend të Koto Hoxhit, Bashkim Finon në vend të Abdyl Frashrit, Erjon Veliajn në vend të Dervish Himës. Keni parë ju o zotërinj apo jo, kjo është alternativa, të tallesh me veten. Po veten ku e çoi se veten e fut në stratosferë, se ia gjeta këtyre një ekuivalencë. E pra si Rama është Koleka” theksoi Berisha.Kryeministri Berisha shtoi se kryesocialisti Rama vjen në këto zgjedhje me një kaos të vërtetë ndërsa Partia Demokratike me vendime të qarta prej kristali.Gjithashtu kryeministri ka njoftuar edhe heqjen e TVSH-së për importimin e të gjitha bagëtive rracore,që importohen për krijimin e tufave dhe mbarështimin e rracave më të mira të Europës."Kjo bëhet me qëllim që të nxisin përmirësim rracor. Kjo nismë që po studiohet do të bëhet realitet. Koncepti ynë është liria, pasuria më e paçmuar dhe asaj do ti referohemi ne për të krijuar pasuri të tjera” theksoi Berisha.Kryeministri Berisha iu referua edhe planit afatmesëm buxhetor për periudhën 2014-2016 të cilin e quajti planin buxhetor të mandatit të ardhshëm Shqipëria vend i zhvilluar.Sipas Kryeministrit shpenzimet në këtë plan parashikojnë drejtimet kryesore të ekonomisë, duke patur në fokus ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik, kompletimin e infrastrukturës rrugore dhe investimeve për rritjen e cilësisë në arsim dhe shëndetësi.“Qeveria zotohet të mbajë borxhin në kontroll të plotë, të vazhdojë me vendosmëri rritjen e rrogave dhe pensioneve përsa kohe ta votojnë qytetarët shqiptare. Do të bëjë gjithçka për fermerët shqiptarë. Këto jane parametrat 2014-2016, sepse 2017 e kemi lënë për mandatin tjetër”, tha Berisha.