Shqipëria mposhtet nga Islanda,1:2 në “Qemal Stafa”
Shpresat e kombëtares shqiptare për të synuar një kualifikim historik në Botërorin e Brazilit 2014 morën një goditje të fortë mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë, ku në ndeshjen e tretë kualifikuese, Islanda arriti një fitore të papritur.Ndeshja nën “Qemal Stafa” nisi nën rreshje të dendura shiu, me Shqipërinë që kontrollon lojën dhe tenton të shënojë me Çanin e Bulkun, por Islanda befasoi në të 18` minutë.Duke shfrytëzuar një moment pasigurie të mbrojtjes dhe hezitimi në dalje të Ujkanit, Saeverson godet nga pranë me kokë, topi kalon nën këmbët e portierit tonë dhe përfundon në rrjetë.Në minutat në vazhdim, kuqezinjtë përpiqen të reagojnë. Fillimisht rrezikon Cana me kokë, pas një goditje dënimi e në dy goditje brenda një aksioni, Meha e Sadiku. Megjithatë, barazpeshën do ta sillte në të 29` sulmuesi Çani, i cili nga pranë, pasi i shmanget mbulimit te dy mbrojtesve, kthen në gol pasën e artë nga brenda zonës të Mehës.Në 15 minutat e parë të pjesë së dytë, regjistrohen vetëm dy raste nga larg, i Bulkut dhe Gunarson. Ndeshja do të gjallërohej në të 60`, kur në një shpërthim nga e djathta, Çani pengohet në mënyrë flagrante brenda zonës, por pavarësisht protestave të ekipit tonë, gjyqtari finlandez vazhdoi lojën.Minutat në vazhdim do të ishin më të mira për kombëtaren tonë, që i afrohet dy herë fare pranë golit, me një goditje të Sadikut nga hyrja e zonës, ku portieri mik bëri një grushtim fluturimthi, në një top të arritur vetëm me majat e gishtërinjve dhe në një gjuajtje të Roshit, i futur në fushën e lojës në pjesën e dytë, që shpërdoroi në mënyrë të pabesueshme një top të artë, nga një pozicion ballor, vetëm pesë metra nga porta, pas një krosimi të ulët të Bulkut.Pikërisht në këto minuta të mira, në një kundërzbritje, gjyqtari akordoi një goditje dënimi për Islandën, pas një kontakti të dyshimtë midis Mavrajt dhe Hallfredson. Nga 20 metra distancë, goditja e Sigurdson gjen trekëndëshin në krahun e Ujkanit, i cili gjithsesi reagon me vonesë, duke mos mundur të ndalojë kalimin në avantazh të ekipit mik.Në minutat e mbetura, skuadra jonë përfaqësuese, nën efektin e tronditjes psikologjike, pas golit të pësuar, nuk është e aftë të prodhojë asgjë të rëndësishme.Ndeshja e radhës, ajo kundër Sllovenisë, do të luhet përsëri në Tiranë, ditën e martë.