Finalja e Kupës së Shqipërisë, 50 autobuza nga Vlora drejt Tiranës

Flamurtari ka nisur përgatitjet për ndeshjen e të dielës kundër Kukësit, e vlefshme si finale e Kupës së Shqipërisë. Në Vlorë nuk kanë fituar asnjë titull që prej 2009- ës. Në këtë mënyrë, donatorët turq të Flamurtarit do të vendosin në dispozicion 50 ose më shumë autobusë për tifozët që pritet të udhëtojnë drejt Tiranës për të mbështetur ekipin e tyre në finalen ndaj Kukësit.Pjesëmarrja mendohet të jetë e lartë, ndërsa autobusët do të nisen nga zona e “Skelës” në Vlorë nga ora 10:30 deri në 14:00. Ndërkaq, biletat e ndeshjes të së dielës pritet të dalin në shitje ditën e enjte, në një kohë që me shumë mundësi do të ketë një pikë shitjeje edhe në qytetin bregdetar. Tifo-grupi “Flota Kuqezi” dhe tifozët e tjerë të Flamurtarit premtojnë superatmosferë në mbështetje të skuadrës së zemrës.