Cech mund të largohet nga Chelsea pas mbërritjes së Courtois
Portieri i Chelsea-t Petr Cech mund të marr parasysh edhe largimin nga klubi blu këtë verë. Është bërë e ditur edhe më parë se portieri aktual i Atletico Madridit Thibaut Courtois do të kthehet në Londër pas përfundimit të Kampionatit Botëror pasi Chelsea zotëron edhe kartonin e tij.
Me sa mësohet nga mediat britanike me shumë mundësi Mourinho do të aktivizojë si titullar portierin belg edhe për faktin se Cech është akoma i dëmtuar në shpatull dhe pritet që ky dëmtim të kërkojë kohë për tu rikuperuar. Për këtë arsye tekniku portugez do ti japë mundësinë Courtois ta nisë sezonin e ardhshëm si titullar duke e kaluar gardianin çek në stolin e rezervave.
Petr Cech mbërriti në Londër nga Rennes 10 vite më parë duke u bërë një nga pikat më të forta të skuadrës blu, ai ishte protagonisti kryesor edhe në finalen e Ligës së Kampionëve para dy vitesh, atëherë kur i grushtoi 11 metërshin Arjen Robben-it duke e mbajtur Chelsea-n në lojë dhe kur gjithçka në fund ju drejtua penalltive ai sërish u bë protagonist duke i dhuruar trofeun klubit të Chelsea-t.
Me sa kuptohet portieri 31 vjeçar nuk po ndjehet më i vlerësuar dhe me shumë mundësi nëse ulet në stol nga Mourinho ai do të vendosë të largohet, dhe me nga sa raportojnë mediat angleze klubi londinez nuk do ta ndalojë gardianin të largohet nëse është ky i fundit që e kërkon diçka të tillë.
Do të jetë e vështirë për teknikun nga Setubali të përballojë një situatë të tillë kur në skuadër do të ketë dy portierë të shkëlqyer, i pari tashmë i kthyer në legjendë për blutë, ndërsa i dyti një nga portierët më të talentuar në botë.