Akoma larg akordi mes Antonio Contes dhe Juventusit

Ka ditë që flitet për rinovimin e kontratës së trajnerit të Juventusit Antonio Conte por me sa duket tekniku italian dhe klubi bardh e zi akoma nuk kanë rënë në një pikë të përbashkët dhe marrëveshja mes dy palëve është akoma larg.

Me sa mësohet nga mediat italiane trajneri puljez kërkon nga klubi financat e duhura për të investuar në merkato. Juventusi ka dominuar sezonet e fundit në kampionatin italian por nuk ka qënë në nivelet e duhura në kupat e Europës dhe me sa duket Conte kërkon investime nga klubi në mënyrë që shumë shpejt Juvja të arrijë suksese edhe jashtë Italisë.

Nga ana tjetër drejtuesit e “Zonjës së vjetër “ kërkojnë të jenë në rregull me bilancet dhe nuk e dëshirojnë aspak një revolucion në skuadër. Klubi juventin nuk kërkon të shpenzojë në mënyrë të tepruar në merkato ç’ka nuk përputhet aspak me kërkesat e trajnerit.

Andrea Agnelli po kërkon ta mbajë Conten në Torino, por mungesa e vullnetit nga ana e klubit torinez për të investuar fuqishëm në sjelljen e elementëve cilësor në Torino bën që tekniku italian mos ta pranojë zgjatjen e kontratës.

Nëse akordi vazhdon të mos arrihet atëherë dy janë rrugët që mund të ndiqen, ose Conte nuk rinovon duke qëndruar tek Juventusi deri në fund të sezonit tjetër, ose klubi juventin vendos ta largojë trajnerin që në verën e këtij viti.

Gjithsesi një gjë është e qartë që mes drejtuesve te Juves dhe Contes për momentin situata  nuk është aspak e mirë.

Vincenzo Montella vazhdon të jetë kandidati kryesor nëse trajneri aktual i Juves dhe klubi torinez vendosin ti ndërprejnë pas 3 vitesh marrëdhëniet me njëri-tjetrin.