Mario Balotelli mund të largohet këtë verë nga Milani
Klubi i Milanit po planifikon të gjitha lëvizjet që duhet të kryejë gatë merkatos së ardhshme.
Milani po mbyll një sezon të vështirë dhe efikasiteti që klubi kuq e zi do të ketë gjatë mërkatos verore do të përcaktojë shumë në të ardhmen e Milanit. Me sa raportojnë mediat italiane një nga të sakrifikuarit mund të jetë Mario Balotelli. Sulmuesi italian ka kaluar një sezon me shumë luhatje ku shpesh herë paraqitje të mira janë alternuar me veprime jo të denja për një futbollist të nivelit të tij.
Në këtë mënyrë klubi kuq e zi mund të jetë i detyruar të heqë dorë nga italiani duke përfituar edhe financat e duhura të cilat do të investoheshin menjëherë në sesionin e ardhshëm të shit-blerjeve.
Paraqitja e Balotelli-t në botëror mund të ishte një tjetër faktor interesant, pasi nëse Supermario shkëlqen me kombëtaren italiane në Brazil atëherë vlera e tij do të rritej ndjeshëm ç'ka do të sillte edhe përfitime në arkat e klubit kuq e zi. Monaco duket më i interesuar nga të gjithë për talentin nga Brescia, madje në France janë shtuar spekulimet se klubi i principatës ka të gatshme edhe ofertën për sulmuesin e Milanit.
Falcao po kërkohet nga Reali i Madridit dhe drejtuesit e skuadrës nga Monte Carlo mendojnë se zëvendësuesi më i mirë i kolumbianit mund të jetë pikërisht Mario Balotelli.