Barcelona gati të ofrojë 50 milion euro për Arturo Vidal
Arturo Vidal sapo u kthye nga qyteti i Barcelonës pasi kreu një ndërhyrje kirurgjikale në meniskun e gjurit të tij djathtë ndërkohë sot mediat italiane raportojnë se skuadra me e madhe e qytetit spanjoll Barcelona është gati ti bëjë një ofertë Juventusit për mesfushorin kilen. Blaugranat po mundohen të forcojnë mesin e fushës për sezonin e ardhshëm dhe me sa duket kanë parë tek Vidal lojtarin perfekt për të përforcuar skuadrën që edicionin tjetër do të drejtohet nga Luis Enrique. Shifra që katalanasit janë gati të ofrojnë nuk është pak por 50 milion euro. Një shifër vërtet për tu marrë në konsideratë dhe në qoftë se konfirmohet atëherë drejtuesit e Juves do të vendoseshin para një dileme jo të vogël. Vidal po rikuperohet nga dëmtimi që përmendëm më sipër dhe mendohet se do të jetë gati për sfidën hapëse të kampionatit botëror ku Kili do të përballet me Australinë. Juventusi nga ana tjetër me shumë mundësi do të mbajë në skuadër francezin Pogba kështu që nëse një ofertë e mirë vjen për kilenin atëherë juventinëve do ti duhet patjetër ta vlerësojnë me qetësi, pasi për të kryer blerjet e kërkuara nga Conte ku si objektiva mund të përmendim Cuadradon apo Dzekon atëherë duhet më parë të sigurohen financat e nevojshme. Arturo Vidal ka qënë një nga protagonistët kryesor të skuadrës torineze këtë sezon ku përveç paraqitjeve të mira shpesh herë ka qënë vendimtar duke shënuar gola mjaft të rëndësishëm për skuadrën e Antonio Contes.