Arsene Wenger: Manchester City duhet të përjashtohet nga Liga e Kampionëve
Javën e ardhëshme institucioni më i lartë i futbollit europian Uefa do të marrë një vendim përsa i përket shkeljes së rregullave të "Fair Play"-t financiar të disa klubeve europiane mes tyre edhe Manchester City. Përflitet se klubi anglez do të dënohet me një gjobë prej 59 milion eurosh dhe do të jetë e detyruar që sezonin e ardhshëm të regjistroj në listat e lojtarëve për Champions vetëm 21 futbollistë dhe jo 25 si klubet e tjera, por me sa duket trajneri i Arsenalit Arsene Wenger nuk do të jetë aspak i kënaqur në qoftë se dënimi ndalet me kaq. Tekniku francez ka shkuar dhe më tej ku deklaroi se klubi i City-t duhet të përjashtohet nga Liga e Kampionëve. "Në futboll ka rregulla, ose i respekton ose jo. Në qoftë se nuk i respekton atëherë meriton të ndëshkohesh. Personalisht e shoh të thjeshtë zgjidhjen, po respektove rregullat mund të marrësh pjesë në kompeticion nëse jo atëherë je jashtë kompeticionit. Nëse Uefa nuk do të përjashtoj askënd nga Champions atëherë duhet të gjejë mënyrën e duhur për ti dënuar ashtu si duhet këto klube. Për mua nuk ka pse të jetë kaq e ndërlikuar mjafton ti përjashtosh."- theksoi trajneri i Arsenalit. Wenger përfundoi intervistën e tij për mediat britanike duke shtuar: "Sigurisht që ka diçka që nuk shkon, unë kam vite që e them. Ka dy mënyra për ta parë këtë situatë, ose do thuash që nuk më intereson sa shpenzohet mjafton që futbollistë mëdhenj të vijnë në skuadër ose do mundohesh që të kontrollosh financat për të qënë brenda rregullave." - përfundoi trajneri francez i Arsenalit Arsene Wenger.