Portieri malazez, Vujadinoviç rrezikon të largohet nga Vllaznia

Për malazezin e portës shkodrane, Vujadinoviç, ky ka qenë viti i katërt që ka mbrojtur fanellën kuqeblu. Mirëpo, duket se ai nuk do të jetë më përsëri pjesë e kësaj skuadre. Luhatjet në këtë sezon të fundit duket se kanë lënë të pakënaqur tifozërinë e Vllaznisë që, herë pas here, ka vënë gishtin e fajit edhe mbi malazezin e portës. “Nuk di çfarë t’ju them sa i përket vazhdimësisë sime me Vllazninë. Natyrisht që kam oferta nga klubet e tjera, por do të shikoj gjithçka me kujdes, sidomos pasi ta kemi mbyllur siç duhet këtë sezon. Te Vllaznia m’u bë një kohë e gjatë dhe nuk mund të them në asnjë moment i prerë, ‘PO ose JO’. Do të rishikoj të ardhmen”,– ka përfunduar portieri malazez i Vllaznisë, Mirosllav Vujadinoviç.