Partizani, Laçi dhe Teuta "luftë" për një vend në Europë
Kur ka mbetur edhe 1 javë nga krejt përfundimi i kampionatit Shqiptar, janë 3 ekipe që garojnë për vendin e tretë, vend ky që i mundëson pjesmarrjen në Kupat e Europës.Partizani ka komplikuar gjithçka këtë javë pas humbjes ndaj korçarëve, ndërsa Laçi me fitoren kundër Kastriotit ka kapur vendin e tretë. Ky pozicion të jep të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën e Europës.Java e fundit rezervon ndeshjen Skënderbeu-Laçi. Korçarët janë pa objektiva dhe presin ceremoninë e titullit, ndërsa për kurbinasit është një finale. Një fitore i çon ata në Ligën e Europës, pasi edhe pse janë me pikë të barabarta me Teutën, kurbinasit fitojnë duelin me durrsakët me ndeshje direkte (kanë fituar dy herë dhe kanë humbur një herë gjatë këtij kampionati).Për vendin e tretë mundësitë i ka të mëdha edhe Partizani, por tashmë të kuqtë janë të varur nga rezultati i ndeshjes së Korçës. Nëse Laçi humbet ose barazon ndaj Skënderbeut dhe të njëjtën gjë bën edhe Teuta në Shkodër, të kuqtë kapin vendin e tretë. Ky variant është në fuqi gjithnjë nëse Partizani fiton ndaj Lushnjës së vendit të fundit.Nëse të tria skuadrat që luftojnë për një biletë fitojnë në javën e fundit, atëherë Partizani mbetet jashtë Europës, Laçi kualifikohet direkt, ndërsa Teuta pret një dhuratë nga Kukësi.