Sedorf: Fitimi i derbit ishte merita ime, dua të qëndroj tek Milani
Trajneri i Milanit, Klarens Sedorf, shijoi suksesin e parë si trajner në derbi.
Në fund të takimit kundër Interit, holandezi nxjerr krenohet për faktin se pas tre vitesh ishte pikërisht ai që arriti të kthejë festën te tifozët kuqezi: “Që në fillim deklaruam se donin ta fitonim derbin, me objektivin për të shpresuar deri në fund në një kualifikim të mundshëm në Ligën e Europës. – Kemi luajtur një ndeshje shumë të mirë, si dhe bëmë një hap të rëndësishëm, pavarësisht se përballë kishim një ekip të fortë si Interi, i cili luftoi deri në fund. Besoj se fitorja e djeshme i ka dhënë një grintë më të madhe ekipit, që është bërë edhe më kompakte.
Ne treguam se jemi më shumë ekip sesa Interi dhe ndryshimet e mia taktike i mbroj me fanatizëm”.Për sa i përket kapitullit për të ardhmen, holandezi është shprehur: “E quaj veten një fitues dhe fituesit japin gjithmonë maksimumin. Këtë derbi e fitova unë, e ndiej timin dhe mundohem gjithmonë për të bërë më të mirën në punën time. Sakaq, dua ta falënderoj ekipin për impenjimin.
I kam parë lojtarët e mi shumë të përqendruar gjatë javës dhe të vendosur për ta fituar derbin. Tani dua ta shijoj këtë mbrëmje, pasi jam shumë i lumtur. Galiani thotë që kam dhe dy vite kontratë? Nuk ju ka gënjyer, kjo është e vërteta”.
Gazetar: Elidor Salikaj