Besnik Hasi do të vazhdojë të mbetet trajner i Anderlecht
Vetëm pak muaj i janë dashur Besnik Hasit për të bindur drejtuesit e klubit të madh Anderlecht që ai të jetë trajner edhe për vitin tjetër tek ky klub. Hasi më 10 mars u emërua trajner i parë i ekipit belg, ndërsa kishte marrëveshje me klubin deri në fund të këtij edicioni. Drejtuesit e Anderlechtit nuk pritën fundin e kampionatit për të marrë vendimin për Hasin. Ata u bindën në 2 muaj dhe kanë shprehur dëshirën që kosovari të vazhdojë me këtë ekip dhe vitin e ardhshëm.Hasi ka dalë në një prononcim duke folur reth zgjatjes së kontratës. “Jam trajner me fat. Anderlechti është klub i duhur dhe ne e dimë saktësisht se çka duam të arrijmë së bashku. Dua të falënderoj klubin që më ka ndihmuar të zhvillohem, së pari si asistent e më pas si trajner i parë. Falënderoj po ashtu edhe të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar. Kam mësuar nga të gjitha diçka. Tani duhet të koncentrohemi plotësisht në katër ndeshjet e mbetura të plejofit. Më pas mund të punoj me stafin dhe drejtuesit e klubit që të përgatitemi për edicionin e radhës”, ka thënë Hasi për faqen zyrtare të Anderlechtit.