Adriano Galliani kërkon që Milani të luajë më dy sulmues

Skuadra e Milanit po kalon një nga sezonet më të vështira të viteve të fundit. Kuq e zinjtë po luftojnë për një vend në Euopa League por që në momentin që dëgjon se Milani 7 herë fitues i Ligës së Kampionëve po lufton për një vend në Ligën e Europës e kupton se sa i dështuar ka qënë sezoni për kuq e zinjtë. Sigurisht që përgjegjësinë më të madhe për këtë situatë e mbajnë drejtuesit e Milanit të cilët këtë vit investuan shumë pak për mos të thënë aspak në skuadër. Trajneri i mëparshëm dhe aktuali sigurish kanë mëkatet e tyre po ashtu edhe lojtarët duke filluar me Balotellin por janë drejtuesit ata që duhet të mbajnë me shumë se çdo kush peshën e fajit. Kur mbeten edhe 4 javë nga fundi i kampionatit italian kuq e zinjtë duhet të shpëtojmë atë çfarë mund të shpëtohet nga ky sezon. Për këtë administratori deleguar i Milanit ka zhvilluar një takim me trajnerin e skuadrës Clarence Seedorf. Nuk është folur për të ardhmen edhe pse duket i sigurt shkarkimi i holandezit në fund të kampionatit por është folur për çështje kryesisht taktike. Nga sa mësohet nga mediat italiane Galliani i ka kërkuar teknikut të Milanit të aktivizojë më shumë Honden por kërkesa e veçantë ose urdhri çdo kush mund ta interpretojë si të dojë ishte aktivizimi i dy sulmuesve, ose për të qënë më të saktë aktivizimi i Balotellit dhe Pazzinit në të njëjtën kohë dhe jo alternimi i tyre. Nuk dihet se si e ka marrë Seedorf këtë kërkesë të drejtuesit kuq e zi pasi nëqoftëse do të vendosë të hedhe në fushë dy sulmues atëherë skema e tij me 3 mesfushorë të avancuar pas një sulmuesi të vetëm nuk do të ishte më e aplikueshme. Akoma nuk është e qartë nëse holandezi i është bindur urdhrave apo i ka qëndruar kokëfortë ideve të tij.