Carlo Ancelotti : Atletico e meritoi finalen
Tekniku i Realit të Madridit, Carlo Ancelotti është shprehur për mediat italiane në lidhje me finalen e Champions league, duke mos lënë pa përmendur dhe situatën tek klubi i Milanit me të cilin triumfoi dy herë në Ligën e Kampionëve. " Atletico lujati më mirë dhe e meritoi plotësisht kalimin në finale. Tani në Madrid janë të gjithë të lumtur pasi do të kenë në finalen e Championsit dy skuadra. Skuadra e Simeones ka që në fillim të sezonit që luan mjaft mirë dhe po vazhdon ta bëjë këtë. Nuk besoj se jemi favoritë, në një finale nuk ka favoritë do të jetë një takim mjaft i ekuilibruar." u shpreh trajneri i Realit. Trajneri i galaktikave iu rikthye edhe një herë fitores me Bajernin e Mynihut të martën në mbrëmje. "Është bukur për një klub që të jetë sërish në finalen e Championsit pas 12 vitesh. Jam shumë i kënaqur nga skuadra dhe nga momenti që po kalojmë. Jam pjesë e klubit më të madh në botë dhe jam i lumtur që u rikthyem pas kaq kohësh në luftë për Europën. Jam një njeri i qetë, pasi qetësia më lejon që ti shikoj gjërat në mënyrën e duhur" theksoi Ancelotti .Në fund ish trajneri i Milanit foli edhe për situatën aktuale të klubit kuq e zi. "Ky ishte një vit tranzicioni dhe mendoj se klubi është i gatshëm të investojë në të ardhmen. Inzaghi në stolin e Milanit?Mendoj se më shumë se eksperienca janë të rëndësishme njohuritë, asnjë nuk ka përvojë kur fillon karrierën por njohuritë bëjnë diferencën.Unë personalisht jam i sigurt që do të qëndoj në Madrid" përfundoi trajneri i "los blancos" Carlo Ancelotti. Më 24 Maj galaktikat e drejtuar nga italiani do të përballen në stadiumin " Da Luz " të Lisbonës me Atleticon e Madridit për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.