Rënia e Pep Guardiolës

Verën e kaluar Pep Guardiola morri drejtimin e Bajernit të Mynihut dhe menjëherë pasi mori timonin e skuadrës më 27 Korrik erdhi dhe humbja e parë bavarezëve. Në superkupën e Gjermanisë Bajerni u mposht nga Dortmundi i Jurgen Klopp me rezultatin 4 me 2. Por ai ishte e mundur të përmirësohej një skuadër që funksiononte në perfeksion, një skuadër që me Jup Heynckes në stol arriti të fitonte gjithçka. Guardiola kërkoi të revoluciononte lojën e bavarezve duke kërkuar të implementojë tiki takën e famshme dhe sot pas dështimit në gjysmë finale të Ligës së Kampionëve mund të themi se dështoi totalisht. Dikush mund të thotë me të drejtë që Bajerni këtë vit ka fituar kampionatin duke dominuar, po ashtu ka triumfuar në botërorin e klubeve dhe ka arritur të thyej Chelsean e Mourinhos në superkupën e Europës, po është e vërtetë por gjithashtu e vërtetë është se në Champions League peshohen veprat e një skuadre të madhe. Proçesi i katalanizimit të Bajernit të Mynihut mbërriti të bëj vetëm gjysmën e rrugës dhe u rrëzua në momentin më të rëndësishëm. Në fakt humbja e mbrëmshe nuk është thjesht një disfatë, apo thjesht një rënie fizike. Lojtarët e Bajernit duket sikur e zbatojnë taktikën e vendosur nga trajneri më shume si detyrim se sa si një mënyrë e bukur për të luajtur futboll, dhe si çdo gjë që bëhet pa dëshirë është e destinuar të dështojë. Kjo mënyrë loje më shumë se një filozofi është një obsesion për Guardiolën. Çdo gjë që skuadra bën duhet të kalojë nëpërmjet tiki takës, dhe për këtë shumë lojtarë të skuadrës gjermane nuk janë të bindur. Një nga njerëzit më të fuqishëm përsa i përket futbollit gjerman, pikërisht Franz Beckenbaur ishte i pari që doli kundër kësaj filozofie kur deklaroi se të qarkullosh topin kur nuk shënon është humbje kohe. Dyshime kishte që në momentin kur spanjolli morri drejtimin, kishte me të vërtetë nevojë ajo skuadër që fitoi gjithçka për kaq shumë ndryshime por gjithsesi nuk pritej një dështim i tillë, sepse humbja me Realin nuk ishte thjesht një humbje, të paktën nuk mund të quhet e tille kur pëson 4 gola. Më shumë se një humbje ishte një katastrofë e vërtetë.