Kahn: Riberi duhet të zgjohet dhe të ndihmojë Bayernin
Ish portieri i Bayern Munich, Oliver Kahn ka kërkuar nga Franck Ribery të harroj zhgënjimin që nuk fitoi Topin e Artë. Legjenda e futbollit gjerman mendon se mesfushori francez duhet të fokusohet te ndihmojë ekipin bavarez që të fitojë trofe edhe këtë sezon. Futbollisti francez nuk ka arritur të gjej formën e tij optimale, që kur Cristiano Ronaldo e mundi në garën për trofeun prestigjioz individual në janar. Ish futbollisti i Olympique Marseilles u zëvendësua pas 60 minutash, në humbjen 1:0 ndaj Realit të mërkurën, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. "Kishte vite që e priste Topin e Artë. Sigurisht, është e vështirë për një lojtar me kualitetet e tij, të mos fitojë Topin e Artë, pasi fitoi tre trofe, por duhet të lëviz dhe të luaj me të njëjtin ritëm", ka theksuar Kahn për tabloidin gjerman, Bild. "Topi i Artë është një vlerësim individual. Bayerni mund të bëjë diçka që askush nuk ka bërë më parë: t'i përsërisë sukseset e sezonit të kaluar. Duhet të vendos interesin e klubit para atij personal, por për Ribery kjo nuk është dicka e lehtë. Atmosfera është mjaft e rëndësishme për të. Duhet që të flasin shumë me të dhe t'i jepet më shumë kujdes. Është gjithmonë e vështirë të thuash se çfarë po ndodh brenda tij, por ai është një lojtar që mund ta bëjë diferencën", përfundoi Kahn. Ribery ka shënuar 15 gola në 36 ndeshje në të gjithë kompeticionet me Bayernin këtë sezon.