TKZ: Shqiptar të Zvicrës, mos luani në Tiranë !

Përballja ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës, sfidë kjo që do të luhet të Premten në mbrëmje në "Qemal Stafa", tashmë ka nisur të “nxehet”.Fakti se në radhët e zviceranëve do të luajnë gjashtë shqiptarët, Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi e Pajtim Kasami, bën që kjo ndeshje të jetë ndryshe nga takimet tjera. Grupi i njohur i tifozëve shqiptar "Tifozat Kuqezi", përmes një letre kanë kërkuar nga shqiptarët e Zvicrës të mos luajnë kundër Kombëtares Shqiptare në Tiranë.Ja letra e tifozëve kuqezi:"Në prag të ndeshjes së parafundit eliminatore , Shqipëri - Zvicër që luhet me 11 tetor 2013 në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë, grupimi më i madh i tifozëve të Kombëtares Shqiptare, iu drejtohet futbollistëve me origjinë shqiptare që luajnë në përfaqësuesen helvete. Futbollistëve: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi dhe Pajtim Kasami.Jo rrallëherë për t'iu kundërvu kritikave të shumta pse ju keni zgjedhur për të përfaqësuar një vend tjetër e jo vendin e origjinës ju i jeni përgjigjur se e doni shumë Shqipërinë, se ndiheni shqiptarë ashtu sikurse ndihen shumë familje shqiptare që emigruan për një mirëqenie më të mirë në vende të tjera. Meqenëse keni rrënjë shqiptare dhe nuk ndiheni rehat të luani kundër Kombit të rrënjëve tuaja (ashtu siç edhe deklaroni nëpër media ), ju kërkojmë që të mos luani në ndeshjen kundër Shqipërisë në Tiranë.Mendojmë se në këtë mënyrë do të jeni korrekt edhe me ngjyrat që i prezantoni, pasi që ata do t'ju kuptojnë. Nëse veproni ndryshe dhe nuk jeni në ditën e juaj më të mirë, atëherë ata (zviceranët) do t'ju quajnë 'tradhtarë' . Mirëpo, nëse eventualisht shënoni gol, atëherë bashkëkombësit e juaj (Ne) të anës tjetër do t'ju quajmë po me të njëjtin emër. Besojmë shumë se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjitha palët. Ju kujtojmë se në një rast të tillë ish reprezentuesi i Kombëtares polake të basketbollit Dardan Berisha nuk u paraqit fare në ndeshjet eliminatore që Polonia i zhvilloi kundër Shqipërisë, sepse sipas tij 'Nuk mund të luante kundër vendit të tij".