Garcia: Roma luan për fitore

Trajneri i Romës, Rudi Garcia, e ka paralajmëruar Interin duke thënë se në San Siro ekipi i tij udhëton për të mposhtur zikaltrit. Verdhekuqtë do të luajnë ndaj Interit në San Siro për sfidën kryesore të kësaj jave në Serie A dhe është Garcia ai që i sheh tri pikët e radhës në horizont."Ata kanë përparësinë e të luajturit në shtëpi. Por, kjo nuk është problem për mua. Unë gjithmonë kam thënë se lojtarët e mi duhet të tentojnë të fitojnë 38 ndeshje si në shtëpi ashtu dhe në transfertë. Shpresoj se do të jetë ndeshje e madhe".Më pas ai foli edhe për situatën te ekipi i tij."Do të shënojmë 200 për qind. Unë shikoj lojtarët, që janë të gjithë të bashkuar kur shënojnë një gol, kur përfundon ndeshja të gjithë janë të bashku. Kanë dëshirë të luajnë mirë të fitojnë ndeshjet. Jemi të qetë edhe pse jemi në krye. Gjëja më e rëndësishme është që ekipi të mbetet i qetë. Natyrisht se është më lehtë të jesh i qetë kur fiton".Më pas ai premtoi se skuadra e tij do të shkoj në San Siro vetëm për fitore."Ne do të luajmë për fitore, por do të jetë e vështirë. San Siro do të jetë pothuajse plotë sipas informacioneve të mia dhe do të jetë atmosferë e mrekullueshme. Do të jetë mirë nëse i marrim tre pikë në fund. Titulli? Nuk flas për këtë gjë, është ende herët".Roma pas 6 javësh ka pikë të plota, 18 në Serinë A, dhe ka shënuar më shumë se çdo skuadër tjetër ,17, si dhe ka pësuar më pak se çdo ekip, vetëm 1 gol.