Skënderbeu thyen Vllazninë, rrëmben kreun
Kryesfida e javës së gjashtë të Superiores mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, e luajtur në "Loro Boriçi", përfundoi me fitoren e korçarëve, kampionë në fuqi, me rezultatin 3-1. Edhe pse kuqeblutë e Vllaznisë ishin të karikuar edhe nga një tifozeri e shumë në numër si asnjëherë më parë, Kampionët e Shqipërisë u treguan më të qartë dhe më të saktë në veprimet me topin, arritën të largohen me fitore nga Shkodra, duke treguar edhe një herë se janë një ekip i fuqishëm i kampionatit shqiptar që me meritë të plotë ka arritur të fitojë tre tituj kampion radhazi. Në fillimin e ndeshjes shkodranët luajnë më mirë, Bushic godet shtyllën në minutën e 5-të, ndërsa Shtubina 3 minuta më vonë humbet një tjetër rast të pastër.Në momentin më të mirë të vendasve, skuadra e Mirel Josës I ndëshkoi dy herë me të njëjtin futbollist, Pero Pejiç, fillimisht në minutën e '28 dhe më pas në të '38. Në pjesën e dytë, kuqeblutë shkurtojnë diferencen me anë të Hajdarit në minuten e '53, por miqtë shënojnë përsëri me ane te Muzakes në minutën e '60.Kjo fitore i çon korçarët në krye të tabeles së klasifikimit, ndërkohë që për Vllazninë, pas atyre rezultateve pozitive radhazi, ka ardhur edhe stopimi në javën e gjashtë. Kështu Skënderbeu rikthehet në vendin ku ka qëndruar për tre vite me radhë dhe paralajmëron kundërshtarët që edhe këtë sezon duhet të përballen me "ujqërit e dëborës" për të rrëmbyer titullin.