Mario Baloteli kërkon falje: "Por nuk vrava njeri"
Pas kartonit të kuq kundër Napolit dhe skualifikimit, Mario Balotelli u ka kërkuar falje te tifozët, miqtë, klubi dhe arbitri Banti.Lojtari me origjinë ganeze ditën e enjte pikërisht në orarin e drekës u rrëfye për "Gazzetta dello Sport" dhe "Sky" , intervistë ku Balotelli bëri hapa prapa dhe kërkoi publikisht të falur për gjestin e tij." Më vjen keq sidomos për shokët e skuadrës. Stërviten dhe lodhen me mua, ndërsa unë me atë gjest i lashë vetëm. Por ndihem gjithashtu në faj edhe me tifozët e Milan-it që kanë besim te unë, si dhe me vetë klubin. Arbitri? I kërkoj të falur edhe atij, pasi nuk duhet të reagoj në atë mënyrë, por ndaj Napolit u përsërit e njëjta histori. Ndërhyrjet e gabuara ndaj meje nuk kanë rëndësi, por sapo bëj ndonjë gjë të vogël unë...E kuptoj shumë mirë, megjithatë duhet të tregohem i kujdesshëm për t'i përballuar më mirë situata të tilla".Në vazhdim sulmuesi i kuqezinjve dha mendimin e tij mbi ecurinë e deritanishme të skuadrave të tjera të kampionatit italian."Duhet të përmirësohemi dhe kemi gjithçka nevojitet për të qenë në lartësinë e skuadrave të tjera. Shikoj shumë ekuilibër. Për shembull Napoli ka lojtarë të mëdhenj, por nuk është më mirë sesa ne si ekip. Sigurisht ky i sivjetshmi do të jetë një sezon tepër i bukur por njëkohësisht edhe shumë i ekuilibruar".Rrallëherë është parë që Mario Balotelli të tërhiqet prapa e të pranojë gabimet e tij, sidoqoftë ndryshe nga c'ka ndodhur deri më tani me klube të tillë si Inter e Manchester City duket se ambienti apo përvoja e klubit kuqezi për të administruar situata të tilla i ka bërë mirë edhe atij vetë, gjithsesi një gjë është e sigurtë pas tërheqjes së drejtuesve të Milan-it për të apeluar vendimin e Komisionit të Disiplinës, Mario Balotelli do të mungojë edhe në ndeshjen e 6 tetorit ndaj Juventusit, gjë që është kthyer në traditë për të.