Partneriteti Alonso-Raikkonen do të funksionojë
Legjenda franceze e automobilizmit, Alain Prost, gjatë një interviste ka thënë se dyshja eksplozive, Fernando Alonso dhe Kimi Raikkonen, do të rezultojnë të suksesshëm te Ferrari në sezonin e ardhshëm.58-vjeçari me nofkën “Profesori”, ka pasur një numër të madh zënkash me kolegët e tij gjatë kohës aktive si pilot i Formula 1. Më e njohura është zënka me Ayrton Sennan te McLareni, kur u largua nga skuderia pas dy vitesh duke thënë se braziliani ishte përpjekur që ta vrasë.Më pas, ai pati telashe edhe me Nigel Mansell te Ferrari, mirëpo katër herë kampioni i botës thotë se përkundër problemeve me kolegët e tij, ato zënka kishin rezultuar produktive duke sjellë rezultate për ekipet ku po garonin."Viti i ardhshëm do të na tregojë se ata mund të funksionojnë shumë mirë. Ka funksionuar shumë mirë në të kaluarën. Të gjithë mendojnë për atë që ndodhi mes meje dhe Sennas, por solli rezultate. Shkoi mirë për skuderin dhe ne e dërguam atë në majë. Nëse ka një problem, atëherë duhet që skuadra ta bëjë që të funksionojë. Do të jetë më vështirë, por mund të ketë sukses. Besoj se do të jetë më lehtë, sepse Kimi ka tjetër karakter".Në sezonin e ardhshëm, spanjolli Alonso do të garojë për herë të parë së bashku me Kimi Raikonen, ndërsa ngelet të shohim se si do të funksionojë partneriteti i tyre dhe a do të munden të thyejnë dominimin e Sebastian Vetel.