Serie A, Roma fiton, Napoli dhe Milani barazojnë
Roma do të jetë sërish kryesuese edhe pas javës së 5-të në Serinë A, por këtë herë e vetme. Verdhekuqtë mposhtën 2-0 në transfertë Sampdorian, ndërsa Napoli nuk mundi dot të kalojë në shtëpinë e saj, modestët e Sasuolos.Pjesa e parë në “Marasi” përfundoi pa gola, ndërsa në të dytën ekipi i Rudi Garsias gjeti rrugën e rrjetës me anë të Mehdi Benatia. Rezultatin përfundimtar e vulosi Xhervinjo 1 minutë para fundit të kohës së rregullt. Nga ana tjetër Napoli nuk pati fat ndaj Sassulos, e cila mori si duket mësim shumë të rëndësishëm nga Interi fundjavën e kaluar. Blerim Xhemaili e kaloi Napolin në epërsi pas 15 minutash lojë, por Zaza pesë minuta më vonë (20') bën golin e barazimit për të vulosur rezultatin përfundimtar.Milani mbrëmë barazoi në shtëpinë e Bolognas (3-3), në një takim që dhuroi shumë spektakël. Andrea Poli i kaloi miqtë në epërsi, por pa përfunduar pjesa e parë, vendasit e barazuan rezultatin me anë të Diego Laxalt në minutën e 33-të. I njëjti futbollist e kaloi Bolognan në epërsi në fraksionin e dytë të lojës në minutën e 52-të, ndërsa golin që mendohej se ishte i sigurisë e shënoi Jonathan Cristaldo në minutën e 62-të. Kur dukej se gjithka kishte marrë fund, Milani ri-ngrihet sërish në fund, Robinho 1 minutë para kohës së rregullt dhe Ignazio Abate në të fundit mundën të nxjerrin një pikë të artë për kuqezinjtë.Pas javës së pestë në Serie A, Roma është liderja e vetme e tabelës me 15 pikë pas pesë fitoresh. Verdhekuqtë ndiqen nga Napoli dhe Juventusi që kanë nga 13 pikë në vendin e dytë dhe të tretë.