Reali i “falet” gjyqtarit për të fituar

Spektakël dhe polemika në sfidën mes Elke dhe Realit të Madridit. Në takimin e  javës së gjashtë ka ndodhur gjithçka, por në fund fitojnë galaktikët. Pas një paqartësie në sekondat e fundit në lidhje me rezultatin përfundimtar të ndeshjes, Real Madridi arriti të mposhtë Elchen me rezultat 2-1.Në takimin e zhvilluar në “Estadio Manuel Martinez Valero”, skuadra vendase nuk i lejoi Mbretërit ta zhvillonin lojën e vet në pjesën e parë, madje në disa raste u vendos në provë edhe portieri Diego Lopez, i cili u tregua i vëmendshëm. Miqtë patën fat që arbitri nuk e ndëshkoi Sergio Ramosin me kartonin e dytë të verdhë pas ndërhyrjes në Coron, ndërsa në vend të tij u ndëshkua me të verdhë Botia për protesta.Cristiano Ronaldo shënoi në minutën e 51-të dhe ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit kur Richmond Boakye shënoi golin e barazimit (90'). Në kohën shtesë, Cristiano Ronaldo arriti t'i sigurojë fitoren Realit pas golit të shënuar nga penalltia, 2-1.Vlen të theksohet se penalltia ishte një vendim i gabuar i arbitrit që ia dhuroi fitoren ekipit mik. Pas javës së gjashtë, Real Madridi ka grumbulluar 16 pikë, dy më pak se kryesueset, Barcelona dhe Atletico Madrid.