Barcelona e pamëshirshme, Atletiko nuk ndalet

Barcelona nuk njeh më kundërshtarë në La Liga. Në javën e gjashtë, blaugranët mposhtën mbrëmë Real Sociedadin 4-1.  Vendasit ishin të pamëshirshëm në pjesën e parë duke shënuar tre herë. Menjëherë në aksionin e parë, katalanasit kaluan në epërsi. Alexis Sançez luan mirë nga e djathta , kroson në zonë dhe topi përfundon te  Neymar që shënoi golin e parë në La Liga, me fanellën blaugrane në minutën e 5-të.Shumë shpejtë, braziliani shmangu disa kundërshtarë për të harkuar në zonë, ndërsa Lionel Messi shënoi me kokë në minutën e 8-të. Dy sulme, dy gola. Në vazhdim sulmi vendas nuk kishte të ndalur dhe erdhi goli i tretë. Mesfushori Sergio Busquets, shënoi me një goditje nga jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshit në minutën e 23-të dhe ky ishte rezultati i pjesës së parë.  Me një përqindje të mbajtjes së topit të frikshme, 72 me 28 për qind dhe me gjithë rastet e blaugranve në pjesën e dytë, Alberto De la Bella shënoi golin e nderit për miqtë në minutën e 64-të.Pas disa minutash, i erdhi radha të shënonte edhe qendërmbrojtësit të ri, Bartra, i cili zbriti në sulm dhe ishte në vendin e duhur pas asistit të Messit për të realizuar golin e katërt dhe të fundit në këtë sfidë në minutën e 77-të.Atletico Madridi nuk ka ndërmend ta lërë të qetë Barcelonën në këtë sezon. Skuadra e Diego Simeones fitoi mbrëmë 2-1 kundër Osasunas në Estadio Vicente Calderon. Heroi i vendasve ishte Diego Costa, i cili realizoi dy herë në pjesën e parë në minutën 18të dhe 25-të. Për t'u shkaktuar telashe vendasve mendoi Oriol Riera në minutën e 42-të që ri-hapi sfidën, por miqtë nuk arritën të realizojnë një tjetër gol deri në fund.Pas javës së 6-të. Barcelona dhe Atletiko Madrid kanë gjashtë fitore në po aq ndeshje në La Liga me pikë të plota 18.