Kaçe ndalet me makinë pa targa
Problemet për mesfushorin e kombëtares, Ergys Kaçe nuk kanë të mbaruar. Pas pezullimit nga ekipi për foton me stemën e UÇK-së, talenti i lindur në Korçë është përballur edhe me policinë e Selanikut që e ndaloi në rrugët e qytetit me një makinë pa targa. Sipas mediave greke, tashmë Kaçe ka thyer rregullat e qarkullimit në shtetin fqinjë.Mesfushori i kombëtares sonë, mësohet se nuk kishte probleme të tjera veç mungesës së targës që ja ka raportuar edhe klubit, pasi ishte në proçes për ta zgjidhur këtë çështje. Bashkë me shokun e tij, 20-vjeçari u shoqërua drejt rajonit të policisë për të plotësuar formalitetet të cilat u pasuan edhe nga një gjobë e majme.Kaçe nuk luan me skuadrën e PAOK-ut që pas dy ndeshjeve me kombëtaren në Slloveni dhe Islandë dhe klubi nga Selaniku nuk ka marrë ende asnjë vendim për të ardhmen e tij. Mesfushori titullar në skemat e trajnerit hollandez, Hub Stevens, kërkoi falje për foton e tij me bluzën ku shfaqej logoja e UÇK-së dhe shoqëria bëri me dije se do të merret një vendim përfundimtar.Klubi grek vazhdon të heshtë ndërsa e ardhmja e Kaçes është larg, pavarësisht se trajneri i Paokut, Hub Stivens, e dëshiron në ekipin e tij shqiptarin. Italia mund të jetë destinacioni i duhur për korçarin për të ngjitur shkallët e karrierës së tij.