Loret Sadiku merr shtetësinë shqiptare

Mbrojtësi i Helsingborgut, Loret Sadiku, zyrtarisht është dekretuar me shtetësinë shqiptare nga presidenti i Republikës.Sadiku, javë më parë ishte në qendër të vëmendjes nga mediat sudeze për zgjedhjen e Kombëtares Shqiptare përpara asaj suedeze. 22 vjeçari nga Prishtina më herët kishte luajtur edhe për ekipin shpresa të Suedisë, por një ftesë nga trajneri De Biazi e tundoi shumë dhe s'mundi t'i thoshte dot jo.Ai tani duhet të presë edhe lejen nga FIFA për t'u aktivizuar në ndeshjet zyrtare të Kombëtares kuq e zi. Kujtojmë se i pari që "theu akullin" ishte Migjen Basha, mesfushori i Torinos i cili morri përgjigje pozitive nga ana e FIFA-s, më pas preçedentët vazhduan me vëllain e tij, Vullnetin, Agon Mehmetin dhe Amir Abrashin. Aktualisht në pritje të përgjigjeve të FIFA-së janë edhe Shkëlzen Gashi e Atdhe Nuhiu.Dekreti i Presidentit Bujar Nishani për Loret Sadikun është ky:"Në mbështetje të nenit 92, pika "c", dhe nenit 93 të Kushtetutës, si dhe neneve 9 pika 7, dhe 20 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998, "Për shtetësinë shqiptare", të ndryshuar, bazuar edhe në propozimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i jepet shtetësia shqiptare Loret Fahri Sadikut".Së bashku me të kanë marrë nënshtetësinë edhe sulmuesi i Teutës, Vedat Muqiri, Labinot Shabani, portieri i Ferizajt dhe Liridon Leci që luan në kategorin e  dytë suedeze me Landskronën.