Vetel me hapa të sigurt drejt titullit të ri

Piloti i Red Bullit, Sebastian Vetel, ka triumfuar në garën për Çmimin e Madh të Singaporit, duke bërë një hap të madh drejt titullit të ri të kampionit.Për pilotin gjerman kjo ishte fitorja e tretë radhazi, dhe përkatësisht e pesta në shtatë garat e fundit.Pas tij, me më shumë se gjysmë sekonde diferencë e kaloi vijën e finishit, piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, që rikuperoi ndjeshëm terren pavarësisht se u nis vetëm nga pozicioni i 7-të.Ndërkohë, podiumin e fituesve e kompletoi Kimi Raikonen. Në vendin e katërt u rendit Niko Rosberg, i cili e la pas vetes shokun e skuadrës, Luis Hamilton, ndërsa Felipe Masa u kënaq me vendin e gjashtë. Dhjetëshen e parë e kompletuan Xhenson Baton, Serxhio Perez, Niko Hulkenberg dhe Adrian Sutil. Australiani, Mark Veber e mbylli garën në vendin e 15-të për shkak të problemeve me makinën e tij.Në renditjen e përgjithshme, epërsia e Vetelit ndaj Alonsos shkon në 60 pikë. Piloti spanjoll duket se e ka të pamundur ta mund kampionin në fuqi me makinën që ka në dispozicion. Gara e ardhshme do të jetë pas dy javësh, sërish në Lindjen e Largët, ajo për Çmimin e Madh të Koresë, në pistën e Jeongamit.