Psikologu Mikler: Klopp nuk do vërë mend, do e përsërisë
Jurgen Klopp ka paraqitur fytyrën e tij më të keqe në ndeshjen hapëse të Champions League, si nënkampionë Europe. Karakteri shpërthyes i trajnerit të Borussia Dortmund, Jurgen Klopp, është bërë edhe objekt i studimeve të psikologëve. Psikologu i sportit dhe shefi i trajnerëve të etikës në federatën gjermane, Werner Mikler, në një intervistë të shkurtër për "Bild" tha se, tekniku verdhezi është një person që nuk i mban dot përbrenda emocionet dhe një skenë si ajo në ndeshjen me Napolin do të përsëritet edhe në të ardhmen."Klopp është një njeri që jeton me emocionet në sensin pozitiv dhe negativ të fjalës. Të tilla shpërthime janë të paparashikueshme. Ndodh që kur shumë gjëra bëhen bashkë, të ketë një reagim të tillë të tepruar. Dhe njerëzit emocionalë janë gjithnjë të prirë për t'i përsëritur sjelljet e tyre. Sigurisht që Klopp do të mësojë nga ky rast i fundit, por shanset janë që sjellja e tij ndaj arbitrave të përsëritet edhe në të ardhmen. Skena të tilla kanë të bëjnë me presionin. Ndeshja nuk po shkonte ashtu siç ai e kishte parashikuar dhe kundërshtari po tregohej më i fortë, pasi e kishte vlerësuar më mirë ndeshjen"Për gjestin në ndeshjen ndaj Napolit Jurgen Klopp u gjobit me 45 mijë euro nga UEFA. Në karrierën e tij si trajner ai ka marrë në total si gjobë 99 mijë e 500 euro.