Vllaznia mposht edhe Tiranën
Skuadra e Vllaznisë pas fitores ndaj Kukësit javën e fundit, ka arritur që në “Loro Boriçi” të mposht edhe Tiranën, me rezultatin 2:0.Ndeshja u dominua nga skuadra e Canajt që u tregua dukshëm superiore në fushën e blertë, përballë bardhebluve të reduktuar nga mungesat e shumta. Sinjalin e parë të ndeshjes, skuadra e Nevil Dedes e dha vetëm një minutë më pas me Çotën që humbi një rast flagrant përpara portës së mbrojtur nga Vujadinovic. Ndërsa sinjalin e parë në portën e Çakës e dha Shtubina në minutën e 10-të.Ndeshja mori një rrjedhë të pakthyeshme në minutën e 14-të, kur sulmuesi kroat Vedran Gerc, u ndëshkua me karton të kuq pas një gjesti jo sportiv duke goditur kundërshtarin me grusht. Vllaznia përfitoi nga superioriteti numerik duke shënuar golin e parë në minutën e 25-të. Hajdari jep një kros nga e majta për Shtubinën që me një gjysmë roveshat e dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 30-të Hajdari kroson sërish, këtë herë nga e djathta ndërsa Bushiç në zonë godet bukur me kokë duke realizuar golin e dytë. Në pjesën e dytë Vllaznia do të krijojë të tjera raste të pastra me Seminën dhe Hajdarin, dhe Beqirin që në minutat shtesë godet shtyllën pingule. Gjithsesi takimi mbyllet në shifrat 2-0, duke u ngjitur në vendin e dytë me 6 pikë.Partizani nuk arrin të fitojë as në shtëpi. Skuadra e Hasan Likës morri vetëm barazim 2-2 përballë Ballshit. Pjesa e parë u dominua tërësisht nga skuadra ballshiote që rrezikoi që në minutën e 3 me nigerianin James, i cili dhuroi një asist në minutën e 10-të për Meton, i cili nuk gaboi. Rasti më i kontestuar i takimit është ai i minutës së 30-të, ku Meto ekzekutoi me mjeshtëri një goditje dënimi, kjo pasi topi nuk preku rrjetën por sipas anësorit e kaloi vijën fatale, 2-0 dhe Bylisi u duk se siguroi fitoren e dytë sezonale por Mazrekaj ekzekutoi një goditje këndi në fundin e pjesës së parë, e cila u devijua gabimisht nga Idrizaj në portën e skuadrës së tij.45 minutëshi i dytë nisi me një ritëm më të shpejtë nga ana e skuadrës kryeqytetase që vendosi barazpeshën me golin e Sodjes në minutën e 48. Deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit nuk do të kishte gola të tjerë. Me këtë barazim, të dyja skuadrat mbeten në kuotën e 4 pikëve.Në takimin tjetër të luajtur në Durrës, Teuta kaloi me vështirësi 2-1 Flamurtarin me gola të Xhafaj në minutën e 10-të dhe Mustafaj në minutën e parë të kohës shtesë që zhvlerësoi barazimin e përkohshëm të Arbrit. Fitore arriti edhe Lushnja 1-0 ndaj Laçit, ndërsa Kastrioti rigjen fitoren pas dy disfatave të para pasi kaloi 2-1 Besën në Krujë.