Fitojnë Barcelona dhe Milan
Barcelona ka shënuar fitore të thellë me rezultat 4-0 në ndeshjen e parë të Grupit H, ashtu si edhe Milani me shumë vështirësi ndaj Celticut. Në “Camp Nou”, ishte Barcelona ajo që e dominoi plotësisht sfidën, nga fillimi i saj. Lionel Messi në minutën e 22-të e zhbllokoi rezultatin me një eurogol nga gjuajtja e lirë.Në pjesën e dytë Barça sërish dominoi në lojë duke pasur edhe shumë raste. Pas një depërtimi në zone, ishte Messi ai që shënoi golin e dytë, ndërsa mbrojtësi Gerard Pique realizoi golin e tretë. Hettrikun e tij dhe kundërpërgjigjen për Cristiano Ronaldon, argjentinasi e kompletoi në minutën e 75-të pas një asisti nga Xavi. Rezultati mbeti 4-0 deri në fund për shkak se Sigthorsson humbi një penalti në minutën e 77-të.Milani nga ana tjetër fitoi me rezultat 2-0 në San Siro ndaj Celticut por vetëm në minutat e fundit. Pjesa e parë përfundoi e bardhë, ndërsa në fundin e së dytës ishte Christian Zapata ai që realizoi 1-0, ndërsa Muntari mbylli llogaritë për rezultatin përfundimtar 2-0. Pas këtyre fitoreve Milani dhe Barcelona kanë nga tre pikë në Grupin H, të Ligës së Kampionëve.Baseli e ka bërë të heshtë kështjellën e Chelseat pas triumfit 2-1 para tifozëve në “Stamford Bridge”. Edhe pse me një gjysmë të parë jo edhe aq bindëse, Blutë arritën te goli i epërsisë para se të shkonin në pushim. David Luiz dha një top për Lampard, i cili dërgoi një pasim drejt Oscar dhe braziliani realizoi golin e parëNë pjesën e dytë, pas kombinimeve me Hazard, Oscar goditi shtyllën. Ndërsa vendasit ngulmuan të shënojnë golin e sigurisë, ndodhi e kundërta, Baseli barazoi me anë të Mohamed Salah (71’).Befasia vjen kur zvicerianët kaluan në epërsi me golin e Marco Streller, duke rrëmbyer tre pikë të arta nga kjo sfidë. Në minutat e fundit të kësaj ndeshjeje, për ta shijuar fitoren u angazhuan edhe dy shqiptarët, Arlind Ajeti dhe Taulant Xhaka. Në ndeshjen tjetër të Grupit E, Schalke ka arkëtuar tre pikë pas fitores 3-0 kundër Steaua Bucurestit.Atletico Madridi ka arkëtuar pikë të plota përballë Zenit Petersburgut duke triumfuar me rezultatin 3-1 në “Estadio Vicente Calderon”, në ndeshjen e parë në kuadër të Grupit G, në Ligën e Kampionëve. Pa u mbyllur pjesa e parë, vendasit kaluan në epërsi. Autori i golit ishte Miranda në minutën e 40-të. Në gjysmën e dytë të lojës, Hulk i dha shpresa ekipit rus për tu kthyer në lojë duke e barazuar rezultatin (58’). Por në fillim Arda Turan (64’) e më pas Leo Baptistao (80’) bënë që këto shpresa të shuhen.Në përballjen tjetër të grupit, Porto ka fituar në shtëpi të Austria Vjenës me rezultat 1-0. Autori i golit ishte Luço Gonzales në minutën e 54-të.