Kaçe në orët e fundit te Paoku, refuzon komisionin disiplinor
Futbollisti i kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, nuk ka dalë te enjten në mesditë, ashtu siç ishte paralajmëruar, para komisionit disiplinor të PAOK-ut të Selanikut. Sipas drejtuesve të klubit, Kaçes i është dhënë një javë leje për të qëndruar në Shqipëri. Dhe kjo, derisa në Selanik "të ftohen gjakrat" që u ndezën pasi Kaçe publikoi në facebook një fotografi të tijën veshur me një bluze që mbante siglën e UÇK, shkruan "Tribuna".Ergys Kaçe deklaroi se profili ku u publikua fotografia nuk ishte i veti, por tifozëria e PAOK-ut ka dy qëndrime, ndërsa shumica e tifozëve e sulmuan 20 vjeçarin shqiptar që është lojtar bazë në formacionin e bardhezive të Selanikut. Ngjarja u shfrytëzua politikisht nga partia neonaziste greke, Agimi i Artë, që me një deklaratë tepër të gjatë sulmonte Kaçen, që e cilësonte si një "shqiptar fanatik antigrek", por edhe vetë PAOK-un, duke theksuar faktin se mesfushori korçar nuk kishte pranuar të aktivizohej me përfaqësuesen greke, por kishte zgjedhur ekipin kombëtar të atdheut të vet.Të mërkurën pasdite, rreth 100 tifozë të PAOK-ut sulmuan zyrat e Agimit të Artë në Selanik. Duket se ka qenë kjo ngjarje që i ka bërë drejtuesit e PAOK-ut ta shtyjnë paraqitjen e Kaçes para komisionit disiplinor. Zëdhënësi i klubit, Kiriakos, ka deklaruar më herët se "në rregulloren e klubit parashikohen ndëshkime disiplinore për raste si ai i Kaçes", por ka shtuar se para se të vendoset për masën e dënimit do të duhet dëgjuar edhe vetë Ergys Kaçe.Gjithsesi, klubi ndodhet para një dileme të madhe, teksa nga njera anë ka një masë të madhe tifozësh që kërkojnë ndëshkimin e mesfushorit shqiptar, por nga ana tjetër, nuk mund të mos marrë parasysh se Ergys Kaçe është një lojtar i pazëvendësueshëm, siç thuhet shprehimisht në uebsajtin zyrtar të PAOK-ut. Për të janë të interesuar skuadra të ndryshme turke ndërkohë mediat greke gjithashtu njoftojnë se familja e Kaçes do të largohet në Itali pas këtyre ngjarjeve dhe ndoshta në të ardhmen edhe vet Kaçe me përkrahjen e De Biazit mund të luaj për ndonjë skuadër italiane.